Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Gjermani mori 217 vaksina anti-COVID

Një 62-vjeçar nga Gjermania, kundër këshillës mjekësore, është vaksinuar 217 herë kundër COVID-19, raportojnë mjekët, shkruan BBC të martën.

Rasti i çuditshëm është dokumentuar në revistën “The Lancet Infectious Diseases”.

Vaksinat janë blerë dhe dhënë privatisht brenda 29 muajve.

Burri nuk ka pësuar asnjë efekt negativ, thonë studiuesit nga Universiteti i Erlangen-Nurembergut.

“Ne mësuam për rastin e tij nëpërmjet artikujve të gazetave. Më pas e kontaktuam dhe e ftuam të bënte teste të ndryshme në Erlangen. Ai ishte shumë i interesuar ta bënte”, ka thënë Kilian Schober, nga departamenti i mikrobiologjisë së universitetit.

Në testet e bëra, burri dha mostra të freskëta gjaku dhe pështyme.

Studiuesit gjithashtu morën disa mostra gjaku të ngrira nga ai.

“Ne ishim në gjendje t'i përdornim këto mostra për të përcaktuar saktësisht se si sistemi imunitar reagon ndaj vaksinimit”, ka shtuar Schober.

Prokuroria në Magdeburg mblodhi prova për 130 nga 217 vaksinat që kishte marrë 62-vjeçari. U hap hetim me pretendimin për mashtrim, por s’pati asnjë akuzë penale.

Vaksinat kundër COVID-19 nuk mund të shkaktojnë infeksion, por mund ta mësojnë trupin se si të luftojë sëmundjen.

Vaksinat e acidit ribonukleik (mRNA) funksionojnë duke u treguar qelizave të trupit pak kod gjenetik nga virusi.

Më pas, sistemi imunitar duhet të njohë dhe të dijë se si të luftojë COVID-in nëse e hasin realisht.

Schoberi u shpreh i shqetësuar se hiper-stimulimi i sistemit imunitar me doza të përsëritura mund të kishte lodhur disa qeliza. Por studiuesit nuk gjetën asnjë provë për këtë tek 62-vjeçari.

Madje, ai asnjëherë nuk ishte infektuar me COVID-19.

Rezultatet e testeve për 62-vjeçarin ishin të pamjaftueshme për të nxjerrë përfundime të gjera. Prandaj, sugjerimi mbetet që tre vaksina, shoqëruar me vaksina të rregullta shtesë për grupet e ndjeshme, mbetet metoda më e mirë për COVID-in.

“Nuk ka asnjë indikacion se nevojiten më shumë vaksina”, ka thënë Schober.

Vaksinat kundër COVID-19 mund të kenë efekte anësore. Më e zakonshmja është dhimbja e krahut nga injeksioni.

Artikuj të ngjashëm