Vajza e tyre Mia ishte vetëm 3-vjeçare kur çifti kanadez, Edith Lemay dhe Sebastien Pelletier kuptuan se vajza e tyre ka probleme me shikim.
Disa vjet më vonë kur vajza u vizitua nga një specialist, prindërit kuptuan se Mia, vajza më e madhe nga katër fëmijët e tyre është diagnostikuar me retinitin pigmentoz, një gjendje e rrallë gjenetike e cila shkakton humbjen e shikimit ose zvogëlim të shikimit gjatë kalimit të kohës.
Për shkak të kësaj, Lemay dhe Pelletier, të cilët janë të martuar për 12 vjet, kanë vërejtur që edhe dy djemtë e tyre, Colin 7-vjeçar dhe Laurent 5-vjeçar, janë duke i përjetuar simptomat e njëjta.
Frika e tyre ishte konfirmuar në vitin 2019 kur djemtë e tyre ishin diagnostikuar me të njëjtin çrregullim gjenetik, derisa djali tjetër Leo kishte dalë krejtësisht në rregull.
“Nuk ka asgjë që mund të bësh”, ka thënë Lemay, duke shtuar se nuk ka shërim ose tretman i cili mund të ngadalësojë humbjen e shikimit.
“Ne nuk e dimë se sa shpejtë do të ndodhë por e dimë që nga mesi i jetës së tyre ata do të mbesin tërësisht të verbër”, ka thënë Lemay, shkruan CNN-i.

Po sa e morën lajmin e hidhur, çifti u fokusua që t’u ndihmojnë fëmijëve të tyre të ndërtojnë aftësi të cilat do t’iu duhen për ta ndjekur rrugën e tyre gjatë jetës.
Kur specialistja e Mias tregoi se ata do të kenë memorie vizuale, Lemay u kujtua se kanë mundësi t’u ndihmojnë fëmijëve të tyre për jetën që i pret.
“Unë thash, nuk do t’ia tregojë një elefantë në libër, por do t’ia tregojë një elefant se si duket në realitet. Dhe unë do t’i ndihmojë asaj të krijojë memorie me imazhet më të bukura që ekzistojnë”, ka thënë ajo.
Derisa Lemay dhe Pelletier kanë udhëtuar bashkë para se të bëheshin prindër, gjithashtu kanë dërguar edhe fëmijët e tyre në udhëtime, kanë menduar që të zgjerojnë planin e udhëtimeve, gjë që më herët nuk e kishin paramenduar.
“Me diagnozat ne kemi urgjencë. Ka shumë gjëra të bukura që mund të ndodhin në shtëpi, por nuk ka asgjë më të bukur se të udhëtosh. Jo vetëm plani për udhëtim por edhe kulturat e ndryshme dhe njerëzit”, ka thënë Pelletier i cili punon me financa.
Ata shumë shpejt filluan të ruajnë të ardhurat dhe plani për udhëtim mori një ndihmë kur kompania për të cilën Pelletier punoi dhe kishte aksione në të, u shit.
“Ishte si një dhuratë nga jeta. Sikur të thoshte ‘këtu janë paratë për udhëtim’”, ka thënë Lemay.
Familja nga gjashtë anëtarë kishte planifikuar të nisej në korrik të vitit 2020 dhe kishte në plan të nisej nga Rusia dhe të kalonte kohë edhe në Kinë.
Sidoqoftë ata u detyruan ta shtynin udhëtimin e tyre për disa vjet për shkak të kufizimeve si shkak i pandemisë. Por ata e lanë Montrealin në mars të vitit 2022 edhe pse nuk kishin plane konkrete.
“Ne u nisëm pa ndonjë plan konkret. Ne kishim disa ide se ku mendonim të shkonim, por nuk kishim plan konkret”, ka thënë ajo.
Para se të niseshin për udhëtim familja ndërtoi një plan dëshirash. Mia dëshironte të shkonte në kalërim, derisa Laurenti dëshironte të pinte pije mbi një deve.
“Ishin dëshira specifike dhe qesharake njëkohësisht”, ka thënë ajo.
Ata filluan udhëtimin e tyre në Namibia ku qëndruan afër elefantëve, zebrave e gjirafave. Pas Namibisë ata shkuan në Tanzani duke fluturuar pastaj në Turqi ku kaluan një muaj. Më pas udhëtuan në Mongoli e më vonë u shpërngulen në Indonezi.
“Ne kemi parë kafshë të jashtëzakonshme në Afrikë, por gjithashtu në Turqi dhe gjithandej. Ne vërtetë po mundohemi t’i bëjmë që të shikojnë gjëra të cilat në shtëpi nuk do të mund të i shihnin dhe të përjetojnë eksperienca të ndryshme.

Derisa Mia tash 12-vjeçare e din për gjendjen e saj që kur ishte 7-vjeçare, Colin dhe Laurenti kanë zbuluar së fundmi dhe kanë filluar të bëjnë pyetje të vështira.
“I vogli im më pyeti se çfarë do të thotë të jesh i verbër. Më pyeti gjithashtu nëse do të ishte në gjendje të voziste. Ai është vetëm 5 vjeç. Por ngadalë, ai është duke kuptuar se çfarë po ndodhë. Është një bisedë normale për të, por për mua ishte shumë e vështirë”, ka thënë ajo.
