Një burrë nga Britania e Madhe ka gjetur një letër të shkruar nga një 14-vjeçare në vitin 1982. Letrën e gjeti pas dollapit, pasi nisi të rinovonte shtëpinë e tij.
Carl Skivington tha se ishte duke e pastruar njërën nga dhomat në shtëpi kur ai zbuloi një zarf të fshehur, shkruan faqja “Upi” të martën.
“Ne ishim shumë të befasuar. E dashura ime ishte shtatzënë dhe ne po e përgatisnim dhomën për fëmijën. Letrën e gjetëm kur unë vendosa ta hiqja një nga dollapët e vjetër në një cep të dhomës”, ka thënë ai.
Zarfi ishte i nënshkruar nga 14-vjeçarja Deborah Stokes në vitin 1982. Më pas familja e saj e kishte shitur shtëpinë.
Stokes në letër kishte shkruar për gjendjen e botës në atë kohë, duke përfshirë çmimet e qumështit, bukës dhe birrës.
Ajo shkroi se grupet e saj të preferuara ishin Haircut One Hundred dhe The Boomtown Rats.
“Shpresoj që bota të jetë një vend më i mirë kur letra ime të gjendet”, ka shkruar ajo.
Skivington postoi fotografi në Facebook dhe ato u shpërndanë derisa morën edhe vëmendjen e autores, Deborah Stokes-Dishman.
Ajo tha se letra ishte ide nga babai i saj, i cili ka vdekur dy vjet më parë.
Deborah tha se ajo dhe fëmijët e saj kanë marrë përsipër të fshehin shënimet në shtëpinë e tyre për t'i zbuluar banorët e ardhshëm.