Kuriozitet

Biohakeri, që shpenzon 2 milionë në vit për “t’u rinuar”, tregon rezultatet e fundit

Biohakeri, që shpenzon 2 milionë dollarë në vit në misionin për “t’u rinuar”, ka zbuluar rezultatet e projektit të tij “baby face”, shkruan “The Sun” të enjten.

Miliarderi Bryan Johnson, 46-vjeçar, konsumon mbi 100 pilula çdo ditë dhe ka 30 doktorë si pjesë e projektit “Blueprint”, për të qëndruar “i ri përgjithmonë”.

Ish-tajkuni i teknologjisë raportohet se ka kapacitetin e mushkërive të një 18-vjeçari, por ishte i pakënaqur se si po i dukej fytyra.

Në fillim të vitit, ai nisi projektin “baby face” për të bërë atë të duket i ri, siç ndihet edhe trupi i tij brenda.

Dhe ai i ka zbuluar rezultatet në platformën “X”.

“Vërtetë humba peshë në vitin e parë të ‘Blueprint’ dhe më u dobësua edhe fytyra. Nisëm projektin ‘Baby Face’ 10 muaj më parë. Si po ecim?” – ka shkruar 46-vjeçari.

Bryan kishte bërë pasurinë e tij në të 30-tat kur ia shiti “eBayt” kompaninë e tij “Braintree” për 600 milionë funte.

Ai tha se stili i vështirë i jetës së drejtuesit e ndikoi që të shtonte peshë e të binte në depresion. Madje tha se kishte menduar edhe vetëvrasjen.

Bryan, që është baba i tre fëmijëve, nisi projektin “Blueprint” në vitin 2021 dhe thotë se ka reduktuar moshën e tij biologjike për më tepër se pesë vjet.

Në projektin e tij nënkuptohet qëndrimi në diell për kohë të caktuar, të hajë saktësisht 2250 kalori në ditë dhe të hajë vaktin e fundit në ora 11:00.

Ai madje shkoi aq larg sa ndërroi gjakun e tij me atë të birit të tij 18-vjeçar, duke marrë nga një litër çdo herë në shpresë për të rinovuar gjakun e vetë.

Detaje të projektit “baby face” ende nuk janë bërë të ditura, por disa përdorues në rrjete sociale thonë se ai ka nisur të përdorë kolagjen dhe po ashtu trajtim me kemikale, për të arritur një lëkurë të re.

Bryan më herët kishte thënë për “The Sun”: “Unë po revoltohem kundër kulturës së vdekjes. Në shekullin XXI, synimi i vetëm është të mos vdesë”.