Kuriozitet

Astronomët zbulojnë ekzoplanetin e parë të mundshëm jashtë galaktikës sonë

Kandidati për ekzoplanet duket se po rrotullohet rreth një binari me rreze X – i përbërë nga një yll normal dhe një yll ose vrimë e zezë e shembur – me distancën e tij nga ky binar afërsisht të barabartë me atë të Uranit nga Dielli

Një planet i mundshëm, me madhësinë sa të Saturnit, është identifikuar në Whirlpool Galaxy dhe mund të bëhet ekzoplaneti i parë që zbulohet jashtë Rrugës së Qumështit.

Kandidati për ekzoplanet duket se po rrotullohet rreth një binari me rreze X – i përbërë nga një yll normal dhe një yll ose vrimë e zezë e shembur – me distancën e tij nga ky binar afërsisht të barabartë me atë e Uranit nga dielli, ka raportuar e përditshmja britanike “Guardian”.

Zbulimi e hap një dritare të re për të kërkuar ekzoplanetë – planetë këta që rrotullohen rreth yjeve përtej Diellit tonë – në distanca më të mëdha se kurrë më parë.

Edhe pse deri më tani janë zbuluar afro 5,000 ekzoplanetë, të gjithë janë në galaktikën e Rrugës së Qumështit – pak më larg se rreth 3,000 vjet dritë nga Toka.

Ekzoplaneti në galaktikën spirale Messier 51 (M51) – i quajtur edhe Galaxy Whirlpool për shkak të formës së tij të veçantë – do të ishte rreth 28 milionë vjet dritë larg.

Rosanne di Stefano, nga Qendra për Astrofizikë në Harvard dhe Smithsonian në Cambridge të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila drejtoi hulumtimin, ka folur për “Guardianin” rreth zbulimit.

“Që nga vitet 1750 është hamendësuar se mjegullnajat e largëta të zbehta, të quajtura tani galaktika, janë universe ishujsh: të mëdhenj, popullata yjore të lidhura me gravitacion të ngjashëm me shtëpinë tonë, Rrugën e Qumështit. Zbulimi ynë i planetit kandidat… na jep vështrimin e parë në popullatat e jashtme të sistemeve planetare, duke e zgjeruar shtrirjen e kërkimeve të planetit në distanca afërsisht 10,000 herë më të largëta”, ka theksuar ajo për gazetën.

Di Stefano dhe kolegët e zbuluan atë duke përdorur Observatorin me rreze X “Chandra” të NASA-s, gjatë kërkimeve rreth një rënieje karakteristike në shkëlqimin e rrezeve X, të shkaktuar nga kalimi i një planeti përpara binarit të rrezeve X.

“Këto sisteme ndriçuese zakonisht përmbajnë një yll neutron ose vrimë të zezë që tërheq gaz nga një yll shoqërues në orbitë të ngushtë - në këtë rast, një yll me një masë rreth 20 herë më të madhe se Dielli. Materiali pranë yllit të neutronit ose vrimës së zezë stërnxehet dhe shkëlqen në rrezet X”, ka shkruar gazeta.

Sinjali që ata zbuluan zgjati për rreth tri orë, gjatë të cilave emetimi i rrezeve X u ul në zero. Bazuar në këtë dhe informacione të tjera, Di Stefano dhe kolegët vlerësojnë se kandidati për ekzoplanet do të ishte përafërsisht sa madhësia e Saturnit dhe do të rrotullohej rreth yllit neutron ose rreth vrimës së zezë në rreth dyfishin e distancës së Saturnit nga Dielli - afërsisht e barabartë me orbitën e Uranit. Hulumtimi është botuar në revistën shkencore “Nature Astronomy”.

Image

Sado emocionues që të jetë ky zbulim, “Guardian” ka specifikuar se nevojiten më shumë të dhëna për të konfirmuar se objekti është me të vërtetë ekzoplanet jashtëgjithësor. Një sfidë është se orbita e madhe e objektit nënkupton që nuk do të kalojë më përpara binarit me rreze X për rreth 70 vjet.

“Fatkeqësisht për të konfirmuar se po shohim një planet, ndoshta do të duhet të presim për dekada që të shohim një tjetër tranzit”, ka thënë bashkautorja Nia Imara nga Universiteti i Kalifornisë në Santa Cruz. “Dhe për shkak të pasigurive rreth asaj se sa kohë na duhet për të kaluar në orbitë, nuk do ta dinim saktësisht se kur të shikonim”.

Nëse një planet ekziston vërtet në këtë sistem, atëherë ka të ngjarë që të ketë përjetuar një të kaluar të dhunshme. Çdo ekzoplanet në sistem do të duhej që t’i mbijetonte shpërthimit kataklizmik të supernovës, i cili krijoi yllin neutron ose vrimën e zezë nga një yll ekzistues më parë. E ardhmja mund të jetë gjithashtu e rrezikshme, pasi në një moment ylli shoqërues gjithashtu mund të shpërthejë dhe ta shkallmojë planetin me nivele jashtëzakonisht të larta rrezatimi.

Kërkimi për tranzit me rreze X në Rrugën e Qumështit dhe burime të tjera jashtëgjithësore të rrezeve X, mund të ndikojë që të zbulohen kandidatët e tjerë për ekzoplanetë në mjedise të pazakonta.

Përktheu: Liridona Bytyçi