Kuriozitet

Arrestohet personi që pretendoi se ishte ylli egjiptian gjatë një provimi në fakultet

Egjipti është kualifikuar në 1/8 e finales të Kupës së Afrikës që po mbahet në Kamerun. Sot, prej orës 17:00 do të përballet me Bregun e Fildishtë për një vend në çerekfinale dhe pjesa më e madhe e banorëve të Egjiptit do ta përcjellë këtë ndeshje nëpërmjet televizorit.

Reprezentuesi i Egjiptit, Mostafa Mohamed, i cili ka luajtur në tri ndeshjet e fazës së grupeve, pritet të jetë titullar edhe ndaj Bregut të Fildishtë. Dhe, duke qenë se ai nuk e ka dhuntinë që të gjendet në vende të ndryshme në të njëjtën kohë, Mohamed e pati të vështirë të justifikonte praninë e tij në universitet.

Në Egjipt, aktualisht është java e promovimeve kombëtare dhe në vendin e Mustafas në universitet u shfaq një nga shokët e tij për t’i dhënë provimet. Mirëpo, ai u ndalua. Një zyrtar i institutit universitar të Kajros ku është regjistruar Mostafa Mohamed ka kuptuar se kandidati nuk ishte sulmuesi 24-vjeçar i klubit turk Galatasaray, por një i ri i diplomuar për letërsi.

Ai ka bërë menjëherë një denoncim për këtë. I riu pranoi se donte “të ndihmonte një mik”, sipas “rrëfimeve” të publikuara nga media shtetërore. Në rrjetet sociale të vendit më të populluar të botës arabe, ku futbolli është mbret i sporteve, përdoruesit e internetit kanë pasur një ditë të gjatë me komente.

“Ministria e Arsimit të Lartë, 100 milionë egjiptianët dhe të gjithë tifozët e futbollit në Afrikë e dinë që Mostafa Mohamed është në Kamerun, është me të vërtetë mashtrimi më budalla i shekullit!”, ishte njëri prej komenteve në Facebook.

Dhe mashtrimi nuk ndalet me kaq: në “rrëfimin” e tij, i riu egjiptian i arrestuar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, tregon se nuk është përpjekja e tij e parë.

“Unë tashmë i kam kaluar tri provime për mikun tim Mostafa Mohamed”, ka pranuar ai para prokurorit.

Nuk u saktësua nëse ishte futbollisti ai që i kishte kërkuar mikut të tij të bënte provimet në vend të tij dhe cilat ishin dënimet për akte të tilla.