Hetuesit që kërkonin një çift “hajdutësh ekspertë” të akuzuar për vjedhjen e 45 shisheve verë në vlerë mbi 1.6 milionë euro nga një restorant spanjoll vitin e kaluar, kanë arrestuar dy persona pas nëntë muajsh operacioni policor ndërkombëtar, që përfundoi në Kroaci.
Në tetor të vitit 20201, një burrë dhe një grua që po qëndronin në hotelin Atrio në Spanjë vodhën dhjetëra shishe të verës së shtrenjtë franceze, shkroi të mërkurën The Guardian.
Policia e Spanjës tha se plani i vjedhjes filloi kur gruaja përdori një dokument fals të Zvicrës për ta rezervuar dhomën në hotel para se të bënin një vizitë në bodrumin e verës.
“Më pas, ata kërkuan dhomën e tyre dhe burri u kthye shpejt majtas për t’u rikthyer në bodrum”, tha policia. “Pasi përdori çelësin kryesor të vjedhur më parë për të fituar qasje, ai doli me tri çanta të mëdha shpine ku mbante shishet dhe që ishin mbështjellë me peshqirët e hotelit për t’i mbrojtur”.
Derisa burri po rrëmonte nëpër bodrum, gruaja po hutonte një punonjës duke i kërkuar ushqim, edhe pse kuzhina ishte mbyllur.
Çifti u largua nga hoteli të nesërmen.
Edhe
Ish-misi i Meksikës burgoset në Spanjë, akuzohet se vodhi verëra në vlerë 1.7 mln dollarë
Policia tha se pas hetimeve në Spanjë dhe në shtete të tjera, hetuesit arritën t’i identifikonin dy të dyshuarit me shkallë të lartë të profesionalizmit dhe planifikimit perfekt për vjedhje. Policët zbuluan se çifti e kishte vizituar restorantin tri herë më parë për ta vëzhguar lokacionin.
Sipas policisë, çifti u largua nga Spanja disa ditë pas vjedhjes dhe lëvizi përreth Evropës aq shumë sa u bë e vështirë gjetja. Ata u gjurmuan në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë dhe u arrestuan në Kroaci.