Organizata Botërore e Meteorologjisë (WMO) tha se një bazë kërkimore argjentinase, e vendosur në majën veriore të Antarktidës, ka raportuar për një temperaturë – që nëse konfirmohet – mund të jetë një rekord për kontinentin e akullt.
Sipas stacionit argjentinas “Esperanza”, e cila ka mbledhur të dhënat, në Antarktidë është regjistruar temperatura 18.3C, e cila ka tejkaluar rekordin e mëhershëm të kontinentit më jugor të Tokës që ishte 17.5C marsin e vitit 2015, raporton “Sky News”.
Postimi në Twitter i asociacionit argjentinas meteorologjik u shpërnda edhe nga Organizata Botërore e Meteorologjisë.
Profesori James Renwick, shkencëtar i klimës në Universitetin e Victorias në Wellington, i tha “Guardian Australia” se komiteti WMO do të rimblidhet sërish për të ratifikuar rekordin e ri.
“Të dhënat janë mbresëlënëse sepse rekordi u thye pas vetëm pesë vjetësh dhe është për pothuajse një shkallë centigrade më i lartë. Është një shenjë se ngrohja që po ndodh atje, po ndodh shumë më shpejtë sesa mesatarja globale”, tha ai, transmeton Koha.net.
“Vendosja e një rekordi të ri kaq shpejt është befasues, por kush e di se sa gjatë do të qëndrojë? Ndoshta jo edhe shumë”, shtoi ai.
Rreth 87% e akullnajave përgjatë bregut të tij perëndimor janë “tërhequr” gjatë pesë dekadave dhe kanë treguar “tërheqje të përshpejtuar” në 12 vjetët e fundit, potencoi profesori Renwick.
Esperanza, që gjendet në cepin verior të Gadishullit, ka mbledhur të dhëna që nga viti 1961.