Kuriozitet

Amsterdami ndërton parkingje nënujore për biçikleta

Kryeqyteti i Holandës, Amsterdami, ka ndërtuar dy parkingje nënujore për një total prej 11 mijë biçikletash, gjë që përmirësoi infrastrukturën e çiklizmit në një qytet që njihet në mbarë botën për biçikletat e shumta.

Plani është një vazhdimësi e inovacionit holandez në gjetjen e hapësirës për biçikletat. Ministrja e Infrastrukturës, Vivianne Heijnen, mori pjesë në hapjen ceremoniale të parkingjeve të reja, shkruan Euronews.

“Ajo që është bërë me shumë zgjuarsi këtu është se ka një parking për biçikletat nën ujë. Fatmirësisht ne në Holandë kemi shumë njohuri dhe ekspertizë në çështjen e ujit dhe kemi bërë të mundur që të ndërtohet aty ku ka shumë ujë, edhe nën ujë, gjë që bën të mundur shfrytëzimin optimal të hapësirës në një vend të vogël si Holanda”, ka theksuar ministrja Heijnen.

Të dy parkingjet ndodhen pranë nyjeve të trafikut, të cilat llogaritet të shfrytëzohen nga 30 për qind e qytetarëve për të shkuar në qytet me biçikletë.

Çiklizmi është një simbol i kulturës holandeze - vetëm në Amsterdam ka pothuajse një milion biçikleta dhe ka 600 mijë xhiro me biçikletë në ditë.