Kuriozitet

Muzeu i Londrës pajtohet t’i kthejë 72 artefakte të grabitura në Nigeri në shekullin e 19-të

Një muze në Londër thotë se ka rënë dakord të kthejë në Nigeri artefaktet e grabitura në shekullin e 19-të nga Mbretëria e Beninit.

Muzeu “Horniman” tha se pronësia e 72 objekteve do t'i transferohej qeverisë nigeriane, raportoi BBC.

Artikujt përfshijnë 12 pllaka bronzi, të njohura si Bronzët e Beninit, një gjel prej bronzi dhe një çelës për pallatin e mbretit.

Kjo pason një kërkesë të Komisionit Kombëtar të Nigerisë për Muzetë dhe Monumentet (NCMM) në janar.

Muzeu, në juglindje të Londrës, thotë se është konsultuar me anëtarët e komunitetit, vizitorët, nxënësit e shkollës, akademikët, profesionistët e trashëgimisë dhe artistët me bazë në Nigeri dhe në MB.

"Të gjitha pikëpamjet e tyre për të ardhmen e objekteve të Beninit u morën parasysh, krahas prejardhjes së objekteve," shpjegoi muzeu.

Vitet e fundit, ka pasur presion të shtuar politik ndaj qeverive dhe muzeve evropiane për të dorëzuar artefaktet e grabitura.

Këto përfshijnë gdhendje fildishi dhe skulptura metalike të njohura si Bronzët e Beninit.