Kuriozitet

Skeleti i dinosaurit shitet për mbi 6 milionë dollarë

Një skelet i rrallë dhe i lashtë dinosauri i është shitur në SHBA një blerësi të panjohur për më shumë se 6 milionë dollarë.

Skeleti u hodh në ankand nga shtëpia e famshme e ankandeve Sotheby's dhe u shit të enjten.

Fosili është i një dinosauri të njohur si Gorgosaurus - një i afërmi i Tyrannosaurus rex famëkeq dhe vdekjeprurës, që u zbulua në vitin 2018.

Blerësi anonim do të ketë mundësinë unike për t'i dhënë një pseudonim grabitqarit.

Shitja është e dyta e një skeleti të fosilizuar dinosauri të nxjerrë në ankand nga Sotheby's.

E para, një T-rex me nofkën Sue, iu shit Muzeut Field të Çikagos në vitin 1997 për 8.36 milionë dollarë.

Gorgosaurus pritej të tërhiqte oferta deri në 8 milionë dollarë.

Gorgosaurus endej në Tokë rreth 77 milionë vjet më parë dhe, si T-rex, kishte një kokë të madhe, një gojë plot me dhëmbë të lakuar dhe gjymtyrë të vogla të përparme me dy gishta.