Për më shumë se dy shekuj e gjysmë, familja boshnjake ka punuar në mullirin e ujit.
Ndodhet në lumin Janja, që rrjedh në vargmalet Majevica në verilindje të shtetit.
Anxhelko Deliq krejt ditët i kalon duke u kujdesur për arën me misër ose duke bluar drithëra në mulli.
Më shumë se një dekadë më parë, Deliq mori mantelin e babait për t’u bërë pronar dhe mullixhi.
Me krenari ruan zanatin në shuarje, jo vetëm pse i siguron të ardhura, por edhe që e bart traditën familjare, të nisur nga stër-stërgjyshi i tij në shekullin XIX.
“Mulliri jonë varet nga metodat e moçme të bërjes së miellit dhe dallon shumë nga bluarjet moderne. Gurët rrotullohen 80 deri në 90 herë për minutë dhe nuk e ngrohin miellin. Përdorim metodën e bluarjes që daton prej ditëve të para të civilizimit”.
Deliq është i bindur që dy djemtë e tij, të cilët e ndihmojnë me punët rreth mullirit, do ta vazhdojnë traditën kur vjen koha e pensionimit të tij.
Është në dijeni për krizën ushqimore të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Mirëpo mulliri i tij u ka rezistuar sfidave të kohës, pasi edhe Bosnja e përjetoi luftën brutale gjatë viteve 1992-1995.
“Mulliri i ujit është nëna e krejt mullinjve sepse ka ushqyer gjenerata të panumërta të njerëzve. Askush nuk ka mundur ta djegë apo ta shkatërrojë, edhe gjatë luftërave botërore, sepse edhe në kohë lufte, njerëzit kanë nevojë për të, që të ushqehen”.
Në vitin 2021, familja boshnjake ka prodhuar 50 tonë miell, me shpresën se sivjet do të kenë edhe më shumë punë.