Kuriozitet

Gjendet pas 42 vjetësh vajza prindërit e së cilës ishin vrarë në një pyll në SHBA

Fëmija i dy prindërve që u gjetën të vrarë në Teksas më shumë se 40 vjet më parë, është gjetur i gjallë dhe mirë, ka thënë Prokurori i Përgjithshëm i shtetit.

"Baby Holly" Crouse, tani 42 vjeç, nuk u gjet me prindërit e saj në skenën e vrasjes së vitit 1981. Çifti nuk u identifikua deri në vitin 2021, duke përdorur testet e ADN-së, raportoi BBC të premten.

Në një konferencë shtypi, zyrtarët e Teksasit thanë se "gëzohen" që ajo është e sigurt, por dy rastet e vrasjeve mbeten enden të hapura.

Zyrtarët thonë se një kult fetar misterioz mund të jetë përgjegjës për vdekjet.

Tina Gail Linn Clouse dhe Harold Dean Clouse Jr ishin zhvendosur nga Florida në Teksas pak para se të gjendeshin të vrarë në pyll, në Houston.

Vetëm vitin e kaluar ata u identifikuan me ndihmën e Identifiers International, Qendrës Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar dhe policisë në Teksas, Florida dhe Arizona.

Ndërkohë, Holly tani jeton në Oklahoma dhe është nënë e pesë fëmijëve. Detaje të tjera rreth saj nuk janë bërë të ditura, për të mbrojtur privatësinë e saj.

Crouse mësoi për herë të parë për identitetin e saj kur ajo u vizitua në vendin e punës nga policia të martën – në ditën e ditëlindjes së 63-të të babait të saj.

Gjyshja e saj e quajti lajmin një "dhuratë ditëlindjeje nga parajsa", në një deklaratë të lëshuar nga zyrtarët.

Duke folur me gazetarët të enjten, Ndihmës Prokurori i Parë i Përgjithshëm i Teksasit, Brent Webster tha se vajza u soll në një kishë në Arizona nga dy gra.

Ai tha se prindërit kujdestarë që rritën Holly nuk dyshohet se kanë luajtur ndonjë rol në vrasjet.