Kuriozitet

Dhjetëra fëmijë të mumifikuar në varrezën e çuditshme italiane

Një ekip shkencëtarësh po përpiqet të zbulojë pse dhjetëra fëmijë u mumifikuan dhe u varrosën në katakombe (varrezë e nëndheshme) në një manastir në ishullin italian të Sicilisë.

Në katakombin Capuchin në Palermo, studiuesit do të analizojnë mbetjet e 41 fëmijëve të varrosur në një dhomë të caktuar për fëmijët -- edhe pse janë gjithsej 163 fëmijë të varrosur në katakombe.

“Ne duam të përpiqemi të kuptojmë jetët e këtyre individëve, shëndetin e tyre, zhvillimin e kështu me radhë”, tha profesoresha e bioarkeologjisë, Kirsty Squires për CNN. "Dhe nga kjo, ne gjithashtu duam të krahasojmë të dhënat biologjike me anën më kulturore të gjërave".

Squires shtoi se mumiet ishin të veshura plotësisht, me disa të vendosura në djepa dhe karrige, ndërsa të tjerëtt qëndronin drejt me shkopinj të përdorur për t'i mbajtur në pozicion, shkruan CNN.

Shumë pak dihet për këta fëmijët të cilët u varrosën mes viteve 1787-1880 dhe janë pjesë të koleksionit më të madh të mbetjeve të mumifikuara në Evropë, që përfshinë të paktën 1284 trupa.

“E dimë se ata mund të kenë ardhur nga familje të klasës së mesme – riti i mumifikimit ishte i rezervuar për individë të pasur si fisnikët, klasa e mesme dhe klerikët”, shtoi Squires.

“Kështu që e dimë se ata nuk ishin pjesëtarët më të varfër të shoqërisë, por vetëm kaq dimë. Pse nuk u varrosën si njerëzit e tjerë”, tha më tej ajo.

Sipas Squires, mumifikimi ishte praktikuar në varrezat nëntokësore nga viti 1599 deri në fillim të shekullit 20, e parë nga klasa e mesme si një mënyrë për ta mbajtur gjallë një pjesë të të vdekurit, ku familjet do të mund të vizitonin trupat e të afërmve.