Kuriozitet

Ndryshimet klimatike po shkaktojnë “divorcin” e albatrosëve, thotë studimi

Një studim i ri i bërë me shpendët e detit, të njohur me emrin Albatrosë, e të cilët njihen edhe si krijesat më besnike, ka gjetur se ata po “ndahen” çdo herë e më shumë.

Hulumtimet e publikuara në gazetën “Royal Society” kanë marrë për bazë 15,500 çifte mbarështuese të albatrosëve në 15 vitet e fundit, që jetojnë në ishujt Falkland.

Studiuesit kanë theksuar se edhe albatrosët, ashtu sikurse njerëzit, kanë një fazë të sikletshme të rritjes, pasi mundohen të gjejnë mënyrën më të mirë për tu lidhur. Dhe në momentin që gjejnë partnerin e mirë, ata lidhen për gjithë jetën.

Sipas studimit, vetëm 1% e albatrosëve ndahen pasi të kenë zgjedhur partnerin e jetës – që është një shkallë shumë më e ulët se shkalla e divorceve tek njerëzit në Britani të Madhe.

“Monogamia dhe lidhjet afatgjata janë shumë të zakonshme për ta”, ka thënë Francesco Ventura, studiues në Universitetin e Lisbonës dhe bashkautor i studimit.

Mirëpo, në vitet kur është bërë studimi, ka dalë se temperaturat e larta të ujit, kanë rezultuar me më shumë se 8% të çifteve albatrosë të ndarë.

Studimi thotë se "divorci i nxitur nga mjedisi mund të jetë një pasojë e anashkaluar" e ndryshimit të klimës.

Normalisht, divorci i albatrosit shkaktohet kur një çift nuk arrin të shumohet, kështu që ata gjejnë partnerë të rinj në sezonin e ardhshëm të shumimit.

Por gjetjet treguan se çiftet po divorcoheshin edhe nëse do të kishin pasur një sezon të suksesshëm riprodhimi.

Francesko ka thënë se janë dy teori të mundshme për rritjen e ndarjeve të albatrosëve, dhe njëra ka të bëjë me luftën e një lidhjeje në distancë, pasi ujërat e ngrohta i detyrojnë zogjtë të gjuajnë më gjatë dhe të fluturojnë më tej. Mirëpo, nëse zogjtë nuk kthehen në kohë për një sezon mbarështimi, partnerët e tyre mund të vazhdojnë me një partner të ri.

Një tjetër teori është se hormonet e stresit të albatrosit rriten në mjedise më të ashpra, të tilla si kur ujërat janë më të ngrohta.

“Me kushtet më të ashpra të mbarështimit dhe mungesën e ushqimit, mund të shkaktojë më shumë stres dhe një partner mund të fajësohet për "performancën e dobët" të tyre - gjë që përfundimisht mund të shkaktojë divorcin”, ka thënë Francesco.

Hulumtimi vjen pasi shumë popullata ndërkombëtare të albatrosit janë në telashe.

Disa të dhëna nga viti 2017 thonë se numri i çifteve të shumimit të specieve është pak më shumë se gjysma e asaj që ishin në vitet 1980.