Kuriozitet

Fshati i mistershëm kroat i gropave gjigante

Ndodhi krejt papritur dhe pa paralajmërim. Aty ku është dashur të jenë rendimentet e para të patateve në kopshtin e Nikola Borojeviqit, tani ndodhet një gropë gjigante. E gjerë 30 metra dhe e thellë 15 metra, gropa shumë shpejt është mbushur me ujë.

Dhe ajo në kopshtin e tij nuk është e vetmja.

Brenda pak javësh, ka shkruar agjencia britanike BBC, shumë gropa të ngjashme janë hapur në fshatrat Meçenqani dhe Borojoviqi në veriperëndim të Kroacisë. Ajo para shtëpisë së Borojeviqit në Meçenqani është shfaqur më 7 janar, vetëm gjashtë ditë pas tërmetit prej 6.4 ballësh të Rihterit që dridhi qytetin e afërt të Petrinjës. Tërmeti ishte njëri prej më të fuqishmëve që kanë goditur Kroacinë në katër dekada, duke lënë të vdekur shtatë persona dhe duke shkatërruar me mijëra shtëpi.

“Përderisa rrëshqitjet e dheut dhe gropat dihet se shkaktohen nga tërmetet, së bashku me fenomene të tjera të çuditshme gjeologjike si lëngëzimet – ku toka e ngurtë fillon të marrë trajtë të lëngshme – numri i madh i gropave që u hapën përreth dy fshatrave ka befasuar dhe ka hutuar ekspertët”, ka raportuar BBC.

Një muaj pas tërmetit janë shfaqur pothuajse 100 gropa të mëdha në një zonë prej 10 kilometrash katrorë, përkrah të rejave që hapeshin çdo javë.

Gropa në kopshtin e Borojeviqit tani është më e madhja në zonë. Kur u shfaq për herë të parë ishte e gjerë 10 metra, por filloi të rritej pothuajse menjëherë.

“Bashkëshortja ishte në shtëpi gjithë mëngjesin, duke shikuar herë pas here në dritare”, ka thënë Borojeviq për BBC-në. “Rreth orës 14:00, ajo vuri re diçka të çuditshme në kopsht. Dolëm jashtë dhe ishte kjo vrimë e madhe në pemishten tonë. Gjatë tre muajve në vijim, vrima u trefishua në madhësi”.

Por, Borojeviçët ishin me fat.

Gropat e tjera në zonë u hapën vetëm disa metra larg pragjeve të shtëpive të njerëzve dhe njëra u shfaq poshtë një shtëpie, duke i shtrënguar zyrtarët që të vendosnin për evakuimin e të dy fshatrave. Të tjerat, sipas shkrimit të BBC-së, u shfaqën në pyjet përreth dhe fushat bujqësore, ku njëra prej tyre, bazuar në thashethemet lokale, pothuajse gëlltiti fermerin vendas dhe traktorin e tij.

Numri i pazakontë i gropave ka tërhequr vëmendjen e gjeologëve vendorë dhe të huaj, të cilët po mundoheshin të zbërthenin se si tërmeti mund të shkaktojë shembje të tokës.

“Askush nuk ka pritur shfaqjen e kaq shumë gropave”, ka thënë sizmologu Josip Stipçeviq, nga Departamenti i Gjeofizikës në Fakultetin e Shkencave në Zagreb, duke folur mbi çështjen për agjencinë britanike të lajmeve.

Kroacia shtrihet në një zonë shumë aktive sizmike, ku pllaka e vogël e Adriatikut përplaset me pllakën tektonike euroaziatike, duke shkaktuar disa lëkundje aktive, ka shpjeguar Stipçeviq.

Para tërmetit të 29 dhjetorit të vitit 2020, vendi ka pasur edhe nëntë tërmete të tjera me magnitudë mbi 6 ballë që nga fillimi i shekullit XX. Tërmeti i fundi më i madh kishte ndodhur në Pokupsko-Petrinja – ku ka ndodhur edhe i vitit 2020 – që ishte më 1909.