I vendosur në mesin e drunjve të Tulës ndodhet një hotel shumë më ndryshe nga të tjerët.
“Lapoçkino Gnezdo” është i përbërë nga shtëpizat prej druri të instaluara lart sipërfaqes së tokës.
Për jetësimin e këtij projekti, krijuesit janë frymëzuar prej disa shtëpive të ngjashme në Evropë dhe kanë dashur që ta sjellin këtë trend global edhe në Rusi.
Stanislav Zykov, njëri nga krijuesit, tregon se si u lindi ideja për një hotel të tillë.
“Kishim nevojë për një shtëpi mysafirësh për miqtë tanë. E pasi që kishin 1 hektar tokë, vetëm e zgjodhëm vendin dhe vendosëm që ta ndërtonim një shtëpi mysafirësh. Po mundohesha të gjeja diçka interesante. Dhe rastësisht e pashë fotografinë e një shtëpie në dru dhe mendova se pse të mos e ndërtonim edhe ne një të tillë?”.
Për dallim prej shtëpive tipike në drunj për fëmijë, këto shtëpiza kanë nevojë për më shumë punë.
Për t’ua përforcuar bazat, janë shtuar edhe disa shtylla të verdha.
Që nga ballkoni e deri tek interieri me hapësira për të ngrënë e për t’u ulur, Stanislavi dhe bashkëshortja e tij, Viktoriya Zykova, kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë rurale.
Viktoriya e shpjegon mënyrën e ndërtimit.
“Tërë interieri i shtëpisë është bërë nga druri, pa elemente të rënda, kemi përdorur shumë pak struktura metali. Për shembull, është një dhomë për ngrënie. Drurët që i kemi përdorur për tavolinë janë dërrasa të vjetra që i kemi gjetur në një hangar. I kemi hequr prej aty bashkë me bashkëshortin gjatë dimrit, i kemi tharë mirë, i kemi ngjyrosur dhe i kemi pastruar”.
Çifti deri më tani ka ndërtuar dy shtëpi druri dhe e treta është në përgatitje e sipër.
Kjo e fundit do të dallojë shumë nga dy të parat, pasi që do të jetë më e qasshme.
Stanislavi dhe Viktoriya i kishin ndërtuar fillimisht për miqtë e tyre që u vinin për vizitë.
Por, me kalimin e kohës e kanë cilësuar këtë si një mundësi të mirë për biznes dhe tani i japin ato me qira nëpërmjet faqes së AirBnB.
Thonë se deri më tani i kanë pritur 160 turistë, përfshirë edhe çiftet që donin të kënaqeshin për disa ditë në një vend lart tokës.
Emri i këtyre shtëpizave - “Lapochkino Gnezdo” – në përkthim ka kuptimin e Folesë së Dallëndyshes.