Kuriozitet

Priten drunjtë 200-vjeçarë për të rindërtuar katedralen “Notre Dame”

Descriptive Text

Në një pyll në Francë po priten lisat 200-vjeçar për të rindërtuar pjesën e rrënuar të katedrales Notre Dame.

Në korrik të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron u ka dhënë fund spekulimeve për planifikim të rekonstruktimit, duke njoftuar se kulmi ikonik i monumentit parisien do të rindërtohet saktësisht siç ka qenë para zjarrit të prillit të 2019-s, që e kishte dëmtuar rëndë katedralen. Për shkak të kësaj filloi kërkimi i drunjve në tërë vendin.

Kulmi i gjatë prej 93 metrash, i krijuar nga druri dhe i veshur me plumb, ishte dizajnuar nga Eugène Viollet-le-Duc më 1859.

Në janar dhe shkurt, rreth 1 mijë lisa në më shumë se 200 pyje franceze ishin zgjedhur për restaurimin e katedrales. Ata janë përzgjedhur për t’u prerë nga fundi i marsit, për ta parandaluar krijimin e lëngut të pemëve dhe hyrjen e lagështisë.

Një nga sharrëxhinjtë, Daniel Pishon, ka folur për përvojën e tij në këtë projekt.

“Është simbol – nëse mund ta cilësojmë si të tillë. I pamë planet dje me ekspertin e katedrales. I pamë planet dhe ku do të shkonin drurët e prerë. Është interesante. E dimë se ku do të shkojnë. Në fillim, nuk dinim edhe aq shumë dhe nuk na ishte shpjeguar si duhet. Por këtë herë i pamë planet dhe trarët kryesorë e mbajnë tërë strukturën. Kështu që për ne, është mirë”.

Anthony Jeanneau, teknik në Zyrën Kombëtare të Pylltarisë, e ka shpjeguar procesin e shpyllëzimit.

“Thjesht jemi duke e rifreskuar ekosistemin e pyjeve dhe po presim lisa më shumë sesa që është planifikuar. Krejt kjo është zhvilluar sipas planit të menaxhmentit të pyjeve”.

Hapi i radhës për trungjet është që të rrinë të shtrirë deri në një vit e gjysmë para se të jenë gati për t’u prerë.

Lisat ishin mbjellë para qindra vjetësh për të krijuar dru për ndërtim të anijeve. Pjesa dërrmuese e tyre tani janë të gjerë rreth 1 metër dhe të gjatë rreth 18 metra.

Zotimi i Macronit për ta rindërtuar Notre Dame-in brenda 5 vjetësh është konsideruar si joreal.