Kuriozitet

Godet motoçikletën dhe e merr me vete

Në një incident të rrallë, një shofer është xhiruar duke zvarritur një motoçikletë teksa voziste në autostradën 91 Freeway në Corona, Kaliforni.

Pasi ka goditur motoçikletën me furgonin e tij, ai kishte vendosur që të ikë nga vendi i ngjarjes dhe kështu e ka marrë atë “me vete”, shkruan carscoops. Po ashtu, në video shihen shumë shkëndija teksa ai po tejkalonte automjetet tjera, transmeton KOHA. Fatmirësisht, motoçiklisti nuk ishte mbi motoçikletë.

CBS Local raporton se motoçiklisti është ankuar për dhimbje në krahët dhe këmbët, por më shumë nuk është lënduar.

Personi që ka xhiruar këtë video ka përcjellë furgonin dhe pastaj e gjeti motoçikletën në qoshe të rrugës. Më pas, furgoni është parë aty afër pasi është përplasur me një gardh.

Shoferi i furgonit, 25-vjeçari George Valentin, pastaj është larguar në këmbë. Më pas, është arrestuar nga policia.

Motoçiklisti, Chain Arunritthirot, thotë se ai u hodh përafërsisht 50 metra si pasojë e përplasjes. “Në një moment mendova se ky njeri po provon të më vrasë”, tha motoçiklisti në intervistë për CBS2/KCAL9. “Ndjej sikur kjo ishte e qëllimshme, sikur më ka ndjekur”, shtoi ai.

Sipas patrullës së kësaj autostrade në Kaliforni, motoçiklisti ishte duke vozitur me shpejtësi prej rreth 100 kilometra në orë në momentin kur është goditur nga furgoni, i cili ishte duke lëvizur në shpejtësi prej 112 km/h.