Kuriozitet

Akulloret e “Loçkës” në Ferizaj

Është rruga “William Walker” ajo që të shpjerë deri tek vendi më i ëmbël i qytetit.

Por, me gjithë emrin zyrtar, qytetarët e këtushëm e njohin vetëm si vendi i loçkës.

Loçka është ëmbëltorja, simbol tashmë i Ferizajt, raporton emisioni “Sot” në Kohavision.

Është Fatmir Kamberi ai i cili i pret të gjithë klientët e tij me buzëqeshje, kështu duke e vazhduar mirësinë që e kishte lënë dikur Kadrush Rexhepi, i cili kishte nisur punën me akullore në këtë qytet që nga viti 1972, e që më pas u vazhdua nga vetë Fatmiri më 1994.

Pos shijes së veçantë që kanë akulloret e “Loçkës”, ajo që i tërheq më së shumti klientët është vetë emri i saj. Siç tregon Fatmiri, ka nga ta që e vizitojnë këtë vend vetëm sa për të përjetuar nostalgjinë e dikurshme në kohën e Kadrush Rexhepit.

Fatmiri thotë se klientët e tij ende e mbajnë mend Kadrushin.

Të tjerët, sipas tij, pyesin se si erdhi emri i “Loçkës” .

Janë vetëm 6 muaj të vitit ku klientët mund të shijojnë akulloren e këtushme. Gjatë verës punohet nga ora 7:00 e deri në mesnatë.

Fatmiri tregon se janë 3 shije akulloresh.

Deklaron se gjithnjë janë në kërkim për kualitet e shije më të mirë.

Janë vetëm 9 metra katror të vendit ku shërbehet akullorja,

Ndonëse hapësirë e vogël, loçka tërheq shumë klientë.

Për shkak të pandemisë “Loçka” ka reduktuar orët e punës e edhe vetë stafin, ku bashkë me Fatmirin aktualisht aty shërbejnë edhe Fuat Nebihu dhe Bekim Rexhepi.

Pos akulloreve, në këtë vend mund të shijoni edhe pije të ndryshme e që të gjitha janë të përgatitura nga “Loçka”.