Është projektuar që të ngjasojë me Shtëpinë e Bardhë në Washington.
Madje edhe emrin e ka të tillë, Shtëpia e Bardhë.
Bëhet fjalë për ndërtesën e Komunës së Klinës, e cila, falë arkitekturës që ka, bën dallimin nga ndërtesat e komunave të tjera në Kosovë, raporton emisioni SOT në KTV.
Pamja e saj e jashtme të jep përshtypjen e një ngjashmërie të plotë me atë të Washingtonit, gjë që mund të vërehet në çdo cep të këtij objekti.
Edhe në eneterierin e Shtëpisë së Bardhë në Klinë duket se është punuar me kujdes.
Pikturat përreth mureve të saj paraqesin një atraksion më vete.
Për rëndësinë e arkitekturës që gëzon komuna e tyre flet Binak Sylaj, drejtor i Administratës, i cili përmend edhe mënyrën se si e pritën qytetarët ndërtimin e këtij objekti.
Fontanta, e cila zë një hapësirë të veçantë brenda objektit, sipas Sylajt, është dëshmi e ndërtimeve moderne.
Zyrat e tjera punuese janë të ndara në hapësira të veçanta. E për stafin punues brenda Komunës së Klinës është menduar edhe një hapësirë tjetër, restoranti me shërbime të shumta.
Tiparet e tilla arkitekturale, që nga viti i ndërtimit, bëjnë që Komuna e Klinës edhe më tutje ta ketë objektin më modern.