Kuriozitet

Miliarderi japonez që kërkonte partnere për udhëtim në Hënë anulon planet

Descriptive Text

Miliarderi japonez, që po kërkonte një partnere për ta shoqëruar në udhëtimin turistik rreth Hënës, ka anuluar planet e tij.

Moguli i modës, Yusaku Maezawa, kishte ftuar gratë më të moshuara se 20 vjeç që të aplikojnë për këtë ngjarje. Rreth 28 mijë kishin aplikuar, por të enjten ai ka thënë se po përjetonte ndjenja të përziera dhe ka anuluar planet.

Megjithatë, ai akoma planifikon të bëjë udhëtimin në hapësirë më 2023 – por tani pa partnere.

Në janar, 44-vjeçari kërkoi online një grua që ta shoqëronte. Në listën e kërkesave ishte që ajo të jetë beqare, më e vjetër se 20-vjeç dhe që ka qejf të shkojë në hapësirë.

Vetëm një grua ishte paraparë të zgjidhej me procesin që supozohej të kthehej edhe në dokumentar. Por të enjten, ai ka njoftuar në Twitter se më nuk po kërkon për shoqëruese për hapësirë duke thënë se “një pjesë brenda meje ka akoma ndjenja të përziera”.

Ai sapo është ndarë nga e dashura 27-vjeçare, aktorja Ayame Goriki.

Kjo s’është hera e parë që Maezawa, themelues i kompanisë “Zozo”, ka marrë vëmendjen në rrjete sociale. Më parë kishte premtuar se do të ndajë 925 mijë dollarë për 100 njerëz që ishin zgjedhur me short pasi kishin shpërndarë një postim të tij në Twitter. Ai u bë postimi më i ripostuar.

Më 2018 ai u zgjodh pasagjeri i parë privat që do të udhëtojë në hapësirë me “Space X”, kompaninë e Elon Muskut. Ai ishte pajtuar të paguajë çmimin që akoma nuk dihet sa është, ndërsa sipas Muskut, ai pagoi “shumë para”. Misioni është planifikuar të mbahet më 2023.