Basketbollisti suspendohet pasi doli të “ishte shtatzënë” Foto: Getty Images

Basketbollisti suspendohet pasi doli të “ishte shtatzënë”

06 August 2019 08:39

Një basketbollist amerikan që luan në Evropë është suspenduar, pasi që testet e dopingut kanë konkluduar se “ai është shtatzënë”.

Donell “DJ” Cooper ka luajtur në Evropë që kur dështoi të draftohej në NBA. Ai ka bërë karrierë në Greqi e Francë, raporton “Yahoo! Sports”.

Cooper u largua nga AS Monaco në vitin 2018 për “shkaqe familjare” dhe ato arsye janë bërë të ditura vetëm të hënën, kur u konstatua se ai kishte dështuar në test dopingu, shkruan sot “Koha Ditore”.

Duke kërkuar që t'i bashkohej përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës si lojtar i natyralizuar, Cooper duhej t'i nënshtrohej një testi të dopingut si pjesë e formaliteteve.

Zyrtarët kanë zbuluar se mostra që kishte dorëzuar ai përmbante hormonin hCG, një hormon që prodhohet gjatë shtatzënisë.

Në një raport të lëshuar së fundi është thënë se në fakt urina i takonte të dashurës së tij, që nuk ishte e vetëdijshme se ishte shtatzënë.

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka suspenduar Cooperin për mashtrim dhe ai nuk ka të drejtë të luajë deri në qershor të vitit 2020.

“Unë kam vendosur të pushoj pak nga basketbolli dhe të përfundoj kontratën time me Roca Team për shkaqe familjare”, kishte shkruar Cooper në një deklaratë të lëshuar në faqen zyrtare të Monacos vitin e kaluar.

“Në gjendjen aktuale, ku mendja dhe përqendrimi im nuk janë në basketboll, unë nuk kam dashur të shkaktoj shpërqendrim te skuadra. Unë e dua këtë skuadër, kjo skuadër përfaqëson Principatën e Monakos që është e jashtëzakonshme, që më ka sjellë një përvojë unike në jetë. Kjo skuadër përfaqëson një organizatë profesionale të udhëhequr nga njerëz të përkushtuar dhe pasionantë. U uroj bashkëlojtarëve dhe trajnerëve sukses maksimal”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme