Romë, 20 shkurt – Ekipi italian i futbollit, “Pro Piaçenca” është përjashtuar nga Seria C pasi të dielën në ndeshjen e zhvilluar në fushën e “Kuneos” kishte shkuar me vetëm shtatë lojtarë duke humbur ndeshjen me rezultatin 0-20.
Të shtatë lojtarët të cilët u rreshtuan në fushë kundër “Kuneos” ishin adoleshentë që për kapiten kishin 18 vjeçarin Nikola Çiriliano, i cili kishte edhe rolin e trajnerit.
Para kësaj sfide, “Piaçenca” humbi tre takime në “tavolinën e gjelbër” me rezultat zyrtar 0-3.
Klubi, i cili mban fundin e renditjes në Serinë C po përballet me probleme të rënda financiare, nga shkaku i të cilave nuk ka paguar pagat e lojtarëve, stafit profesional dhe të personelit.
“Lega Pro”, organi që drejton Serinë C, vendosi ta skualifikojë nga liga ekipin “Pro Piaçenca”, pasi disa nga lojtarët të cilët u paraqitën të dielën në fushë nuk ishin të regjistruar.
Ndeshja kundër “Kuneos” do të regjistrohet me rezultatin zyrtar 3-0 dhe krahas kësaj, “Pro Piaçenca” do të duhet të paguajë një gjobë me 20 000 eurosh.
Në shpjegimin e vendimit, kritikohet sjellja e klubit, e cila është cilësuar si “e papranueshme, pasi ndeshja kundër Kuneos është një farsë e cila vë në rrezik reputacionin e futbollit italian”.