Nga partia në pushtet, Vetëvendosje, thonë se edhe më herët kanë parë tendencë te deputetët e PDK-së për dhunë në Kuvend. Deputeti Armend Muja thotë se kjo vjen si pasojë e humbjes së privilegjeve financiare, që sipas tij i kishin zyrtarët e PDK-së në të shkuarën. E nga kjo parti, thonë se rrahja e 13 korrikut në Kuvend ishte skenar i partisë në pushtet për të shmangur vëmendjen nga dështimet qeveritare
Dhuna që shpërtheu në Kuvendin e Kosovës 10 ditë më parë, vazhdon të jetë tema e dy partive që u përfshinë në të: VV-së në pushtet dhe PDK-së në opozitë.
Të dyja akuzojnë njëra-tjetrën për nxitje të rrahjes, videot e së cilës bënë xhiron e botës.
Armend Muja, deputet i partisë në pushtet, Vetëvendosje, thotë se ka kohë që ka vërejtur tendencë për dhunë te deputetët e PDK-së.
“Ka një kamuflim të motiveve dhe ne e vërejmë se opozita ka një tendencë dhunë, ky mund të jetë rasti i dytë apo tretë që kur unë jam deputet. Zakonisht motivet thonë Mimoza, Mimoza, por ata shkojnë te financat pasi aty iu dhemb. Motivet janë ekskluzive financiare, humbja e privilegjeve që i kanë pasur më herët”, ka thënë Muja.
E deputeti i partisë së përfshirë në rrahje, PDK-së, Ferat Shala, thotë se dhuna ishte skenar i Vetëvendosjes për ta shmangur vëmendjen nga dështimet qeveritare.
“Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, opozita në dy vjetët e parë të Qeverisë Kurti 2, ishte shumë konstruktive.
E hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, vlerëson se rrahja ka krijuar polarizim të skajshëm mes pushtetit e opozitës.
“Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare. Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizuar këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas performancë shumë të dobët”, ka deklaruar Jakaj.
Rrahja afër foltores së Kuvendit, më 13 korrik, nisi teksa po fliste kryeministri Albin Kurti për situatën në veri. U përfshinë deputetë të PDK-së dhe anëtarë të Qeverisë.