Bashkimi Evropian nuk ka ndarë ende detaje për takimin e 18 gushtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, të enjten, ka thënë se në këtë takim, sikurse edhe në të tjerat pasardhëse, do të tentojnë që të kenë lëvizje para në të gjitha çështjet.
Sipas Stanos, pa progres në dialog nuk mund të ketë përparim në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së.
“BE-ja është duke bërë çfarë është duke mundur, por edhe një herë, ne nuk mund të imponojmë, sepse kjo nuk është çfarë ne bëjmë. Ne mund t’i ndihmojmë ata të sillen në mënyrë evropiane, që do të thotë të gjejnë kompromis, sepse gjetja e kompromisit, kjo është mënyra se si BE-ja punon, dhe kjo është ajo çfarë ne jemi duke iu ndihmuar atyre të arrijnë kompromis”, tha Stano.
Skeptikë lidhur me takimin e së enjtes është deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Duke iu referuar deklaratës së emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, presidenti serb tha se Asociacioni nuk mund të jetë organizatë joqeveritare.
“Ata që deklaruan se duhet të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, më lejoni që t’i pyes ata se a po bëjnë shaka? Çfarë kemi negociuar?” – tha Vuçiq.
Javën e kaluar Escobar paralajmëroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë temë diskutimi në takimin Kurti-Vuciq në Bruksel.
Duke thënë se për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin duhet të gjendet modeli i duhur, emisari amerikan theksoi se nuk mund të ketë “shtet brenda shtetit”.