LAJMET E MBRËMJES

Von Cramon: Aksioni i Policisë në veri, manovër - Qeveria po rrezikon shumë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një konferencë për media të hënën, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me, siç i quajti ajo, “manovrat në veri”. Ajo u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që t’i tërheqin njësitet speciale të Policisë nga veriu dhe të negociojnë për çdo problem që mund të kenë

Aksionin e Policisë për të ruajtur ndërtesat komunale në veri raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i quajti manovra të Qeverisë.

Von Cramon, në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin njësitet speciale të Policisë dhe që situatën ta zgjidhin përmes dialogut.

“Qeveria e Kosovës duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri, dhe ne mendojmë se ata duhet t’i bëjnë pyetje vetes nëse kjo është qeverisje e mirë, po flasim për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij, dhe pyetja tjetër që duhet shtruar është a është kjo formë e qeverisjes së mirë që ne e dëshirojmë”, ka theksuar Von Cramon.

Raportuesja e Parlamentit Evropian tha se të dielën me kryeministrin Kurti pati takim të mirë e të frytshëm, por shtoi se nuk mund të flasë për detajet.

Ajo u shpreh se është mbështetëse e integritetit dhe pavarësisë së Kosovës porse, siç tha, pas vizitës bërë veriut të dielën është e brengosur.

“Kryetarët komunalë të zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë të ligjshme, de jure, siç e thashë dje, por kjo nuk nënkupton që ata kanë fuqi legjitime që të hyjnë në këto objekte dhe që këtë qasje ta sigurojnë me forcë. Askush nuk mund të qeverisë me 1 apo 2% të votave dhe situata nuk është as e qëndrueshme”, ka deklaruar Von Cramon.

Për pyetjen bërë pjesëtarëve policorë në veri “çfarë dreqin po bëni?”, për çka edhe u kritikua, tha se ka dashur t’i pyeste se a është e nevojshme të qëndronin atje. Sipas saj, policët zbatojnë urdhra të atyre që janë në pushtet.

Policia po asiston kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, që detyrën ta ushtrojnë nga ndërtesat komunale. Kjo ka nxitur serbët të protestojnë, në disa raste edhe dhunshëm.

Viola von Cramon mbajti konferencë në përmbyllje të vizitës së saj treditore në vend.