Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin njësitete speciale të Policisë nga veriu dhe të ulen në tavolinën e negocimit.
Von Cramon ka thënë se mënyra e vetme për të zgjidhur situatën është dialogu dhe në mënyrë konstruktive.
Von Cramon ka thënë se Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me “manovrat në veri”.
“A është kjo formë e qeverisjes ‘së mirë’ që duam. Në vend të kësaj ne duhet të kemi më shumë masa për ndërtim të besimit. Dialogu brenda Kosovës është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje. U bëjë thirrje autoriteteve kosovare të mendojnë për të marrë masa për ndërtim të besimit. Si shembull tërheqja e forcave speciale të Policisë nga veriu e të ulen në tavolinë negocimit. Palët e përfshira të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”, tha Von Cramon në konferencë për media në Prishtinë.
E pyetur për sjelljen e saj ndaj Policisë së Kosovës në veriu ku të dielën i pyeti “çfarë dreqin po bëni”, ajo ka thënë se “se vetëm ka pyetur a mendojnë se është vërtetë e nevojshme të qëndrojnë aty dhe se edhe në Gjermani kur ka marrë pjesë në protesta bënte të njëjtat pyetje”.
Von Cramon ka treguar se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është takuar të dielën dhe ka pasur takim të mirë e të frytshëm.
Ajo ka thënë se takon Qeverisë së Kosovës të marrë vendime të nevojshme.
“Unë vetëm e shpreha shqetësimin tim. A ka legjitimitet qeverisja e re lokale, nuk kam dyshim për këtë. Por unë vetëm kam shprehur shqetësimin tim”, tha Von Cramon.
Von Cramon i është përgjigjur edhe deklarimit të deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashi, se “mysafirët i presin në Prizren për qebapa”.
Ajo ka thënë se ka qenë në Prizren disa herë dhe nga ngrënë qebapa e do të shkojë sërish.
“Mos u frikësoni e dua Prizrenin”, tha Von Cramon.
Ajo ka thënë se vizita e saj në Kosovë ishte planifikuar më herët për të paraqitur Raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën.
Von Cramon ka përgëzuar qytetarët për liberalizimin e vizave, ndërsa po ashtu edhe Qeverinë për punën që ka bërë në luftim të krimit të organizuar e korrupsionit.
“Pavarësisht çka ndodh këtu (në Kosovë), ne do t’iu bëjmë pjesë të Këshillit të Evropës. Në çdo gjë që ndodh, Kosova ka mbështetjen tonë, por duhet t’i shihni gjërat që i keni në dorë, duhet t’i bëni ato gjëra me mençuri”, shtoi ajo.