LAJMET E MBRËMJES

Vlerësohet se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë në pikën më të ulët

Një ditë para vizitës në Prishtinë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri Albin Kurti theksoi se takimi me të mund të mbahet vetëm në kuadrin e një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive. Tek e kualifikoi të pakuptimtë anulimin e mbledhjes së muajit të shkuar, Kurti tha se me Ramën ka kontakte e takime të shpeshta. E Rama do ta realizojë vizitën në Kosovë, si pjesë e përgatitjeve për Procesin e Berlinit, Samiti i radhës për të cilin do të mbahet në Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij të enjten në Prishtinë.

Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Kurti theksoi se homologut nga Shqipëria i ka propozuar që takimi të zhvillohet vetëm në kuadrin e një mbledhjeje të të dy qeverive, që do të mbahej pas anulimit të asaj të muajit të shkuar.

E për anulimin e saj, Kurti theksoi se shumë marrëveshje mbetën pa i marrë nënshkrimet.

“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtar, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët, dhe çdo ditë e humbur e pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarët, unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këtë javë, le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona. T’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe në këtë mënyrë t’i operacionalizojmë, t’i funksionalizojmë, t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”, ka thënë Kurti.

Kurti ndërkaq mohoi se ka një mungesë të komunikimit me kryeministrin e Shqipërisë.

“Ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë. Ne takohemi shumë shpesh. Nëse shikoni gjatë këtyre më shumë se dy vjetëve që jemi në qeverisje, i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan, pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Andaj, konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, por jo takime të tjera”, ka shtuar ai.

Rama e pati anuluar njëanshëm mbledhjen e dy qeverive të 13 qershorit, me justifikimin se ajo nuk mund të mbahet në kohën e ngritjes së tensioneve në veriun e Kosovës.

Të mërkurën, ai refuzoi t’i komentojë deklaratat e Kurtit, porse theksoi se me të do të flasë të enjten në Prishtinë.

“Sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe turit, do të flasë kur është koha për të folur që është, nesër në Prishtinë”, ka deklaruar Rama.

E njohësi i raporteve mes dy vendeve, Shpend Gashi, vlerëson se ato janë në pikën më të ulët.

“Janë në gradën më të ulët që kanë qenë ndonjëherë dhe kjo është e turpshme dhe e frikshme... Të dy kryeministrat tonë janë duke u bërë kapricioz me njëri-tjetrin, po e vendosin personalen mbi kombëtaren dhe tanimë është kaluar edhe në fazën e dytë të intelektualëve, të cilët mbrojnë idenë e kombit kosovar dhe kombit shqiptar, ndërkaq ne jemi i njëjti komb, dy shtete të ndryshme”, ka thënë Gashi.

Vizita e Ramës në Prishtinë është pjesë e përgatitjes së Samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, që do të mbahet gjatë tetorit në Tiranë.