LAJMET E MBRËMJES

Viti i Ri nis me kritikat e opozitës për Qeverinë

Problemet me energjinë, me rritjen e çmimeve e në shëndetësi, janë vetëm disa nga çështjet për të cilat, sipas opozitës, Qeveria nuk ka ofruar zgjidhje për qytetarët gjatë vitit që shkoi. PDK-ja dhe AAK-ja kanë kritikuar ekzekutivin duke thënë se përveç mosmenaxhimit ka krijuar edhe kriza të reja. E, analistët thonë se pos problemeve të brendshme, sfidë gjatë 2022-tës ishte dialogu me Serbinë

Viti 2023 ka nisur me kritika për Qeverinë në lidhje me punën e bërë më 2022.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga partitë opozitare e nga analistë, sidomos me moszgjidhjen e telasheve në sektorët e energjisë dhe të shëndetësisë.

PDK-ja dhe AAK-ja konsiderojnë se Qeverisja e Kurtit nuk ka ofruar zgjidhje për sfidat me të cilat qytetarët janë përballur.

Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, edhe afatizimi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë është shpikje e Kurtit.

“Ky vit ka qenë një vit i humbur për Kosovën. Realisht ka qenë vazhdimësi e mentalitetit të njëjtë qeverisës që ka qenë në vitin 2021. Një qeverisje totalisht jo kompetente, një qeverisje pa vizion, një qeverisje që nuk guxon të veprojë dhe të ndërmarrë projekte të mëdha. Kanë kaluar dy vjet dhe çka mbahet mend një projekt i Qeverisë Kurti është ajo ura tri metra në Istog që ka shkuar të presë shiritin”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ndërsa sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, Qeveria për këtë vit do të mbahet mend vetëm për krijimin e krizave.

“Kjo qeveri do të mbahet mend për këtë vit vetëm për qëndrimet at-hoc dhe për krijimin e krizave. Edhe ato kriza që i ka krijuar nuk i ka zgjidhur në mënyrën e duhur. Po e marrim krizën energjetike, s`ka pasur ndonjë përmirësim apo alternativë. Përmbi gjashtë herë Kuvendi ka shpallur krizë emergjente dhe në këtë drejtim çështja ka mbetur aty ku ka qenë”, ka thënë Lekaj.

E analisti Gazmir Raci vlerëson se pos problemeve të brendshme, Qeveria Kurti është përballur edhe me telashe në raport me Serbinë.

“Edhe sfida e dialogut dhe e raporteve të pazgjidhura ende me Serbinë e ka bërë Qeverinë e Kosovës më të koncentruar në këtë dimension. Ka pasur fusha ku nuk kemi pasur progres të theksuar, sidomos në sektorin e shëndetësisë, kishim probleme të theksuara gjatë tërë vitit”, është shprehur Raci.

Sipas opozitës, udhëheqja aktuale nuk është kompetente për ta drejtuar ekzekutivin.