Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Ulet konsumi i energjisë, shteti kursen dhjetëra miliona

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se si rrjedhojë e konsumit për 15 për qind më të ulët të energjisë këtë nëntor, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, janë gjeneruar me dhjetëra miliona euro kursime. Ajo ka njoftuar se nga pakoja e Qeverisë qytetarët janë subvencionuar me 57.84 milionë euro për faturat me kursim që nga muaji shkurt deri në tetor. Sipas saj, Kosova ka përfituar shumën më të lartë për kokë banori nga pakoja emergjente energjetike që është ndarë nga BE-ja

Ulje prej 15 për qind e konsumit të energjisë elektrike është shënuar në nëntorin e sivjetmë, krahasuar me të njëjtin muaj, një vit më parë, ka bërë të ditur të martën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo, nëpërmjet një konference për media, ka theksuar se mbështetur në vlerësimet e bëra, konsumi më i ulët ka gjeneruar me dhjetëra miliona euro kursime. Por, megjithëkëtë, ajo ka paralajmëruar se gjatë muajve të dimrit do të jetë i nevojshëm importimi i rreth 20 për qind të energjisë elektrike.

“Para rreth një muaji, dy, kur kemi bërë vlerësimet, është vlerësuar se gjatë muajve të dimrit duhet importuar rreth 20% e energjisë elektrike, edhe ky është ai importi i shtrenjtë që na rëndon. Në atë kohë është vlerësuar që 300 milionë do të na duhen për ta kaluar dimrin. Deri tani, për shkak të kërkesës më të ulët, ne kemi arritur që parashikimet t’i përmirësojmë në krahasim me sa kanë qenë”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka bërë të ditur, po ashtu, se Kosova ka përfituar shumën më të lartë për kokë banori nga pakoja emergjente energjetike që është ndarë nga Bashkimi Evropian.

“Me qëllim të zbutjes së ndikimit social dhe ekonomik të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta e agresioni të Rusisë ndaj Ukrainës, Bashkimi Evropian ka ndarë 500 milionë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 75 milionë euro janë ndarë për Kosovën, që i bie rreth 43 euro për kokë banori, që është shuma më e lartë për kokë banori ndër vendet e rajonit”, shtoi ajo.

E në kuadër të planit të veprimit për këtë pako, ajo ka thënë se janë paraparë gjashtë masa, që përfshijnë mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare për familjet në nevojë gjatë dimrit dhe ajo për vazhdimin e masës për kursim të energjisë për konsumatorët familjarë.

Edhe Rizvanolli: Konsumi i energjisë elektrike është ulur Arbëri Rizvanolli: Konsumi i energjisë elektrike është ulur

Sipas saj, masa e tretë parasheh investimin me masa të efiçiencës së energjisë në njësi të banimit dhe ndërtesa, me shumë totale prej 20 milionë eurosh. Zbatimi, u shpreh ajo, do të bëhet pjesërisht nga Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante si Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë së Kosovës.

“Masat që do të realizohen në kuadër të kësaj mase janë izolimet e ndërtesave, fasadat e jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve të jashtme, ku target-grup janë konsumatorët familjarë, mirëpo edhe konsumatorët në nevojë, në veçanti banorët e banesave kolektive, ku banojnë qytetarët që janë përfitues të ndihmës sociale”, theksoi ministrja Rizvanolli.

Ajo ka njoftuar se nga pakoja e Qeverisë qytetarët janë subvencionuar me 57.84 milionë euro për faturat me kursim që nga muaji shkurt deri në tetor.