Me rastin e nisjes së muajit të Ramazanit, myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë. Tërnava ka bërë thirrje për ndalje të luftërave në botë, duke theksuar se ky muaj është i mirësisë dhe faljes.
Thirrje për ndalje të luftërave në botë ka bërë myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ai ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së këtij muaji, duke theksuar se është i mirësisë dhe faljes.
“Lutemi që i plotfuqishmi të pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit tonë, shtetit dhe fesë sonë siguri dhe stabilitet. Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhjet ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi të marrin fund”, ka thënë Tërnava.
Mesazhi i Tërnavës për besimtarët ishte që t’i përkushtohen këtij muaji duke ruajtur dhe kultivuar lidhjet familjare dhe duke refuzuar çdo formë të përçarjes mes njerëzve.
“Në këtë natë të madhe, në këtë atmosferë hyjnore ftoj besimtarët tanë kudo që janë që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke ruajtur dhe kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes mes vete”, ka deklaruar Tërnava.
Besimtarët myslimanë i ka uruar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Ai përmes një postimi në rrjete sociale tha se shpreson që ky muaj të sjellë paqe dhe begati.
“Me rastin e Ramazanit, ju uroj të gjithëve që e kremtojnë muajin e shenjtë në Kosovë dhe në mbarë botën. Uroj që ky muaj t'ju sjellë dritë, paqe dhe begati”, ka shkruar Hovenier.
Këtë vit muaji i Ramazanit do të nisë më 11 mars, megjithatë data e nisjes ndryshon në disa shtete, varësisht nga vëzhgimet pamore të Hënës së re.