Terminali Doganor i Trepçës ishte pikëtakim për njerëzit që u ngarkuan me detyra për t’i funksionalizuar qendrat e votimit dhe për të garantuar siguri në të katër komunat e veriut. Nga aty materiali zgjedhor u distribuua në të gjitha qendrat e votimit.
Në Jasenovik u vendos kontejneri i fundit nga të gjithë që shërbyen si qendra alternative votimi në veri dhe i fundit u pajis edhe me material zgjedhor në ditën e zgjedhjeve.
Si për të gjitha qendrat e votimit të të katër komunave të veriut, edhe për këtë që u vendos në fshatin e thellë të Zubin-Potokut, materiali dhe ekipet e zyrtarëve zgjedhorë u nisën nga Mitrovica e Jugut.
Është ora 5 e gjysmë e mëngjesit dhe Terminali Doganor i Trepçës është kthyer në pikëtakim për njerëzit që janë ngarkuar me detyra për t’i funksionalizuar qendrat e votimit dhe për të garantuar siguri.
Shihen anëtarë të këshillave komunale zgjedhore e edhe zyrtarët policorë. Por vendndodhja e materialit zgjedhor mbahet fshehtë.
Burimet thanë se, ndryshe nga herët e tjera, operacion i veçantë për materialin u aplikua këtë herë, me qëllimin për të shmangur pengesat gjatë transportit në veriun që kryesisht banohet nga serbët që janë kundër zgjedhjeve.
Edhe
Kosova jep garanca për siguri gjatë zgjedhjeve në veri
Ekipet e para u nisëm për në Leposaviq, komuna më e largët nga Mitrovica e Jugut ku ndodhet termiali.
E, më pas, rreth 15 automjete të Policisë së Kosovës i shoqëruan zyrtarët zgjedhorë dhe një kamion me material zgjedhor, që u paraqit në terminal pak kohë para nisjes për në Zubin-Potok.
Kur eskorta mbërriti në territorin e komunës, në segmente të ndryshme të rrugës ekipet e secilës qendër të votimit vazhduan veç e veç.
Kamioni fillimisht i dërgoi materialet tek qendrat më të afërta e në fund mbërriti në Jasenovik, rreth 1 orë e 20 minuta pasi zyrtarisht duhej të hapej qendra e votimit.
Kjo, pasi nisja u bë vonë për të mbërritur në shtatë të mëngjesit dhe pasi vetëm një kamion ishte ai që bartte materialin, për të katër qendrat e votimit të kësaj komune.
Edhe
Përfundon vendosja e kontejnerëve për zgjedhje në veri, Policia rrit praninë
Zyrtarë zgjedhorë thanë se transportimi me një kamion u bë për arsye sigurie.
Edhe kthimi i zyrtarëve zgjedhorë dhe i materialit do të bëhet në të njëjtin itinerar dhe pikëtakim për të katër komunat veriore sërish do të jetë Terminali Doganor i Trepçës, në Mitrovicën Jugore.