Policët e Kosovës ishin shënjestër e disa personave në Bërnjak, të dielën mbrëma.
Në videon që ka siguruar KOHA dëgjohen të shtënat me armë ndaj zyrtarëve policorë të cilët për disa minuta mbetën të bllokuar në barrikadat e vendosura nga serbët.
Kamionët e mjetet e tjera të rënda u përdorën sërish si mjete bllokuese në rrugët që çonin në dy pikat kufitare në veri të Kosovës.
Përmes tyre, serbët shprehën pakënaqësinë ndaj dy vendimeve të Qeverisë, atë të reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve identifikuese e të obligimit për ndërrimin e targave ilegale.
Për më shumë se një muaj, planifikimet ishin që vendimet të hynin në fuqi në orët e para të 1 gushtit.
Rikthimi i bllokadave në veri bëri që ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier t’u shkojë në zyrë krerëve të shtetit.
Kërkesa e tij ishte e qartë. Zbatimi i vendimeve të shtyhej për një muaj.
“Dua të jem i qartë. Nuk duam që këto vendime të rishikohen. Duam edhe të jemi të qartë se jemi të shqetësuar se disa individë po i shprehin pakënaqësitë mes vendosjes së barrikadave dhe mohimit të lirisë së lëvizjes. Nuk i përkrahim këto veprime. Mënyra e shprehjes së pakënaqësive është përmes dialogut, do të shohim përpara për vendimet e Qeverisë”, tha Hovenier.
Kështu edhe ndodhi. Por Qeveria shtyrjen e hyrjes në fuqi të vendimeve e kushtëzoi me heqjen e barrikadave.
Deri në largimin e plotë të tyre, të gjithë serbët që kalonin në Kosovë do të pajiseshin me një dokument për hyrje-dalje.
Fajin për tensionet në veri kryeministri Albin Kurti ua lë presidentit serb Aleksandër Vuçiq e shefit të delegacionit Petar Pekoviq.
“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, tha Kurti.
Derisa tensionet nuk uleshin në pjesët më veriore të Kosovës, në orët e mbrëmjes të së dielës heshtja dhe errësira mbretëruan në veri të Mitrovicës.
Përderisa situatë krejt tjetër ishte në jug të Ibrit.