LAJMET E MBRËMJES

Szunyog: Marrëveshja e Ohrit është arritje në kuadër të dialogut, shpresojmë të zbatohet sa më parë

Në shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë, shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, e ka kualifikuar Marrëveshjen e Ohrit si një të arritur në kuadër të dialogut dhe ka shprehur pritjen që ajo të zbatohet sa më parë. Me rastin e përurimit të Muralit të Energjisë së Mirë, Szunyog ka theksuar se Kosova dhe vendet e rajonit shihen si shtete të ardhshme të Bashkimit Evropian. E krerët shtetërorë dhe ata opozitarë theksuan se Kosova sivjet ka më shumë arsye për ta shënuar këtë ditë

Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka kualifikuar Marrëveshjen e Ohrit si një arritje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, porse ka kërkuar që ajo të zbatohet sa më parë që është e mundur.

Këtë qëndrim, Szunyog e ka shprehur gjatë përurimit të Muralit të Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Prishtinë, si një simbolikë e së ardhmes energjetike të vendit, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës.

“Është e qartë po ashtu se është një vit i arritjeve në dialog, kemi Marrëveshjen e Ohrit dhe shpresojmë që kjo do të zbatohet sa më shpejt që është e mundur”, tha Szunyog.

Ai në këtë përurim theksoi se Kosova dhe vendet e rajonit shihen si shtete të ardhshme të BE-së.

E presidentja Vjosa Osmani e cilësoi Ditën e Evropës si një mundësi reflektimi për liri e demokraci.

“Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri më tani dhe për ta rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit evropian. Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave. E gjersa afrohemi më shumë drejt Bashkimit Evropian, angazhimi ynë mbetet i palëkundur”, tha Osmani.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti vlerësoi se Kosova sivjet ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës, shkaku i vendimit për liberalizimin e vizave dhe dorëzimit të aplikimi për anëtarësim në BE.

“I themeluar mbi vlera e vizion, Bashkimi Evropian është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore. Është ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta që krijoi tregun unik dhe e bëri BE-në ekonominë më të madhe të botës”, tha Kurti.

E kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Kosova është shembull i demokracisë dhe vlerave universale të BE-së.

“Rruga e Kosovës është vetëm një, është ajo e Evropës, e frymës dhe parimeve të saj dhe çdo propozim tjetër është cenim i saj dhe i këtyre parimeve. Rruga e vendeve joanëtare për në BE është njëkohësisht edhe rruga e BE-së drejt idesë së lartë të Evropës së bashkuar, rruga ku ajo duhet të përmbushë vetveten duke takuar vlerat e saj”, tha Konjufca.

Për Ditën e Evropës, mesazhe urimi adresuan edhe përfaqësuesit opozitarë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, uroi për konkretizimin e statutit kandidat dhe për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE. Ndërsa Ramush Haradinaj i AAK-së theksoi se Kosova është vendi më i përkushtuar në idealet e bllokut evropian.

Gjatë ditës është mbajtur një punëtori nëpërmjet së cilës të rinjtë mësuan për bazat dhe teknikat e artit të rrugës, ndërsa është hapur edhe ekspozita “Vala tjetër” në Shtëpinë e Evropës.