LAJMET E MBRËMJES

Suedia kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit

Serbia të tërhiqet dhe të mos pengojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, kurse Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, janë kërkesat që të enjten i ka përsëritur ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom. Këto kërkesa i bëri edhe të mërkurën në Beograd. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër duhet të bëhet nga të dyja palët

Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Tobias Billstrom, ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe Ohër. Gjatë qëndrimit të enjten, në Kosovë, Billstrom është takuar me udhëheqësit institucionalë, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti. Pas asnjërit prej këtyre takimeve nuk pati prononcime për media.

Paraprakisht është pritur në takim nga homologia e tij, Donika Gërvalla.

Diplomati suedez, në konferencën me Gërvallën, u shpreh se implementimi i obligimeve të dala nga marrëveshjet ndikon pozitivisht në raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe të gjithë rajonit.

“Kam qenë i qartë në Beograd që mendoj se ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre të punës dhe kam qenë i qartë këtu në Prishtinë se nëse zotoheni për një marrëveshje, duhet ta përmbushni atë. Dhe kjo nënkupton po ashtu në rastin e Serbisë se duhet të tërhiqet nga pengimi i Kosovës për t`u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Kjo është shumë e qartë dhe Këshilli i Evropës është një nga shembujt. Në anën tjetër, Kosova duhet t’i përmbushë zotimet e saj dhe të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjet”, ka thënë ai.

E ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, u shpreh se Suedia mbështet proceset drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian. Gërvalla paralajmëroi se shpejti do të ketë lëvizje sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“Janë kryer disa prej procedurave të rëndësishme të parapara me statutin dhe rregullat e Këshillit të Evropës dhe ndërkohë kërkesa jonë pritet që në një kohë jo të largët të kalojë më në fund nga Këshilli i Ministrave në Asamblenë Parlamentare, i cili është institucioni që do të duhet të verifikonte plotësimin e standardeve dhe kushteve nga ana e Kosovës. Ne jemi shumë optimistë për një proces fer ndaj Kosovës dhe shpresojmë dhe presim që së shpejti të kemi lëvizje edhe në këtë drejtim. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë vetëm një anëtarësim meritor”, ka thënë Gërvalla.

E mosparaqitjen për media, zyrat e Kurtit dhe Osmanit e zëvendësuan në orët e mbrëmjes me komunikata për shtyp.

Në atë të zyrës së presidentes thuhet se Osmani ka kërkuar përkrahjen e Suedisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas presidentes Osmani, është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë nga zyra e kryeministrit thanë se në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë u theksua se marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet “e plotë, pa kushtëzime dhe menjëherë”.

“U bisedua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raportet ndërmjet dy vendeve dhe për marrëveshjet e arritura së fundmi në Bruksel dhe Ohër, të cilat janë mirëpritur dhe mbështeten edhe nga Suedia. Kryeministri Kurti ndau me ministrin Billstrom këndvështrimet e tij nga takimet në Ohër, pritjet për takimin e radhës në Bruksel dhe qëndrimin e tij dhe të Republikës së Kosovës që marrëveshja bazë duhet të zbatohet e plotë, pa kushtëzime dhe menjëherë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë qëndroi në Serbi, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pas takimit me Billstromin, Vuçiqi përsëriti qëndrimin se nuk do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Për këtë qëndrim të Serbisë, Vuciq tha se ka informuar të gjitha palët e përfshira në dialog.

“Serbia për atë që është zotuar, do ta përmbushë, por Serbia nuk do ta mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara. Për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata edhe palën tjetër, edhe Borellin, edhe Lajçakun, edhe Scholzin, edhe Macronin, edhe Blinkenin dhe të gjithë në rruzullin tokësor me të cilët kemi folur”, ka deklaruar Vuçiqi të mërkurën.

Në kuadër të Aneksit të Marrëveshjes, të dakorduar më 18 mars në Ohër, Kosova e Serbia janë pajtuar për zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit, të dakorduar më 27 shkurt bazuar në Planin evropian.

Takimi i radhës i nivelit të lartë Kurti–Vuçiqi do të mbahet më 2 maj në Bruksel.