Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri i Jashtëm suedez: Palët t’i zbatojnë marrëveshjet, Kosova ta formojë Asociacionin

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet për të cilat janë dakorduar në procesin e dialogut.

Ai ka thënë se Serbia duhet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por edhe Kosova duhet t’i zbatojë zotimet e saj, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Është mirë që edhe Kosova t’i përmbushë zotimet e saj, që të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe ashtu siç është arritur në marrëveshje”, ka theksuar Billstrom, në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të cilën e kanë mbajtur pas takimit që e kanë zhvilluar të enjten.

Ai ka theksuar se Suedia e mbështet dialogun dhe punë që e kanë bërë në këtë proces Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe i dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Miroslav Lajçak.

Billstrom ka thënë se e ka përshëndetur Marrëveshjen e arritur në Ohër dhe se ajo do të lehtësojë situatën ne veri të Kosovës.

Edhe Suedia kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit LAJMET E MBRËMJES Suedia kërkon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit

Ai ka theksuar se besojnë që kjo marrëveshje do dërgojë në një relaksim të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

“Unë mendoj që të dy palët që e kanë nënshkruar marrëveshjen në Ohër duhet t’i zbatojnë zotimet, dhe kam qenë shumë i qartë edhe në Beograd se duhet ta bëjnë pjesën e punës së tyre e poashtu edhe në Prishtinë që nëse zotoheni për një marrëveshje natyrisht që duhet ta përmbushni”, ka deklaruar ministri suedez.

Ndërsa ministrja Gërvalla në këtë konferencë ka thënë se me homologun e saj suedez kanë diskutuar rreth zhvillimit të Kosovës si dhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Janë kryer disa prej procedurave të rëndësishme dhe ndërkohë pritet që në një kohë jo të largët kërkesa jonë pritet të kalojë nga Këshilli i Ministrave. Ne jemi të gatshëm për të plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkojmë një anëtarësim meritor. Diskutuam edhe për kërkesën që Kosova ka dorëzuar për anëtarësim në BE. Kemi bërë hapin e parë dhe prandaj falënderojmë shumë presidencën suedeze për mënyrën se si e ka trajtuar këtë proces”, ka deklaruar Gërvalla.

Edhe Ambasadori suedez kërkon nga Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Kushtetuese Arbëri Ambasadori suedez kërkon nga Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Kushtetuese

Ajo ka thënë se kanë diskutuar edhe për kosovarët që jetojnë në Suedi.

“Ne mendojmë që mërgata jonë në Suedi është ura më e mirë që e lidhë Suedinë dhe Kosovën. Diskutuam konkretisht edhe për bashkëpunimin në të ardhmen”, është shprehur Gërvalla.