Në vend të fëmijëve, edukatoret e çerdhes publike “Yllkat” në Prishtinë këtë të enjte kanë pritur e kanë përcjellë anëtarët e këshillit grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Nga këtu, ata edhe njëherë përsëritën kërcënimet se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat e tyre, duke i bërë thirrje ekzekutivit që të gjithë të ulen e të bisedojnë.
“Po ta kishim Ligjin e Pagave, gjithë këto çështje nuk do të thuheshin. Qeveria nuk ka bërë asgjë dhe ne kemi bërë çmos për ta ruajtur. Dhe lus qytetarët mllefin që e kanë të mos e orientojnë nga ne që kemi bërë çmos për të mos ardhur deri këtu, por ta orientojnë mllefin dhe gishtin nga Qeveria. Nëse kryeministri dhe të tjerët po vajtojnë me lot artificialë se çerdhet janë mbyllur, nxënësit nuk do të kenë mësim, ata këtë çështje mund ta zgjedhin. Të ulen me ne dhe të fillojnë me zgjidhjen e kërkesave”, ka thënë Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Qeverisë po i kërkohen nga 100 euro shtesë për punonjësit e sektorit publik, derisa të miratohet Ligji për Pagat. Edukatoret e kësaj çerdheje thonë se paga aktuale që e marrin nuk i përmbush kërkesat e tyre.
“Një pagë minimale, e cila nuk u përgjigjet kërkesave tona, pasi çmimet janë shumë të larta e rrogat e ulëta. E për këtë e dëshmon edhe prezenca e të gjithë punëtorëve të cilët jemi këtu”, u shpreh Xhevrije Maqedonci, edukatore në çerdhen “Yllkat”.
Edhe
Qeveria zbardh takimin me BSPK-në, por jo edhe rezultatin
Shkaku i grevës, shërbimet të enjten nuk u janë ofruar qytetarëve as nga Administrata shtetërore, ai ajo e nivelit qendror, ashtu edhe atij lokal.
“Greva është duke shkuar mirë dhe mbarë. Shumica e shërbyesve civilë të Komunës të Prishtinë na janë përgjigjur, kështu që jemi në grevë. Greva është duke vazhduar dhe është shumë mirë duke shkuar”, ka pohuar Ahmet Gashi, kryetar i Shoqatës Sindikale në Komunën e Prishtinës.
Kjo ka bërë që shumë qytetarë të kthehen pa marrë shërbimet.
“Unë erdha ta paguaj tatimin në pronë, por më thanë se janë në grevë dhe tash duhet të kthehem”, tha një qytetare.
KOHA ka tentuar që të kontaktojë me kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, porse ai ka thënë se për këtë grevë, këshilli do të deklarohet më 31 gusht.
E, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu nëpërmjet një përgjigjeje, shkurt ka thënë se kryeministri është deklaruar për çështjen e grevave në konferencën e një ditë më parë, kur ka thënë se është koha që sindikatat të bëjnë komentet e tyre për Ligjin për Paga. Lidhur me thirrjet e SBASHK-ut për bisedime, ai ka thënë se komunikimi me sindikatat ka qenë i vazhdueshëm.
“Kryeministri është deklaruar për çështjen e grevave në konferencën e djeshme. Ne kemi pasur komunikim të vazhdueshëm me sindikatat. Kryeministri, por edhe ministrat e tjerë janë takuar me përfaqësues të sindikatave. Pra ata janë të njoftuar me punën tonë dhe qëndrimet tona në raport me kërkesat tyre, aq sa edhe ne jemi të informuar me kërkesat dhe qëllimet e tyre. Kryeministri dje është deklaruar se pas procedimit për konsultime paraprake të Ligjit për Paga nga MPB, kërkesë kjo e kamotshme sindikaliste, grevës i ka humbur kuptimi”, ka thënë Kryeziu.
Edhe
Sindikalistët thonë se ndërprerja e grevës varet nga Qeveria
Sipas tij, kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Ligji për Paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim.
“Nuk është koha për greva. Është koha që sindikatat t’i bëjnë gati komentet e tyre për Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarë Publikë kur ai të dalë në konsultime publike. Ne i duam sindikatat jo spektatore, por pjesëmarrëse. Si Qeveri social-demokrate, duam që sindikatat të fuqizohen dhe të jenë në shërbim të të drejtave dhe kushteve të punëtorëve. Reduktimi i organizimit sindikal vetëm në elementin e pagës nuk u shërben mirëfilli as vetë sindikatave. Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re. Duhet të ketë emancipim të ndërsjellë. Ne jemi për dialog social. Pa kërcënime. Pa ultimatume. Për punëtorët. Për qytetarët”, shtoi ai.