Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Shkolla “Hasan Prishtina” vendos për forma tjera sindikale, në vend të grevës

Mësimdhënësit e shkollës “Hasan Prishtina” kanë vendosur që insistimin për plotësimin e kërkesave të tyre ta vazhdojnë në forma të tjera sindikale dhe jo në bojkotimin e procesit mësimor. Një numër i madh i institucioneve të arsimit parauniversitar vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, për këtë prindërit e shkollës “Naim Frashëri” protestuan duke u kërkuar SBASHK-ut dhe Qeverisë që të arrijnë një marrëveshje për fillimin e mësimit.

Me katër javë vonesë, u hapën për nxënësit dyert e shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet.

Stafi i kësaj shkolle ka vendosur që insistimin për plotësimin e kërkesave ta vazhdojë me forma të tjera sindikale.

Ora e mësimit në këtë shkollë do të mbahet 30 minuta, deri në arritjen e një marrëveshjeje mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Qeverisë.

Mësimdhënësja Shukrije Ukshini ka thënë se vendimin për ndërprerjen e grevës e kanë marr për hir të fëmijëve.

“Morëm vendim të fillojmë, jo që është e tepërt për ne, por është e tepërt si shtet, si popull, si nxënës, e ardhmja jonë janë këta, nëse e fundosim, nuk e di se çka presim, për atë morëm një vendim”, ka thënë Ukshini.

Edhe Shkolla “Hasan Prishtina” hap dyert për nxënësit, mësimi me orar të shkurtuar Arbëri Shkolla “Hasan Prishtina” hap dyert për nxënësit, mësimi me orar të shkurtuar

Përderisa nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” u kthyen në bankat shkollore, të njëjtën mundësi nuk e patën moshatarët e tyre në shkollat e tjera të kryeqytetit.

E për këtë disa prindër protestuan në oborrin e shkollës “Naim Frashëri”.

“Ne prindërit duam të dërgojmë mesazh te të gjitha palët që të bashkëbisedojnë që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje për të mirën e përgjithshme, por assesi duke cenuar të drejtën e fëmijëve për shkollim”, ka thënë Vlora Vokshi.

Prindërit kanë thënë se fëmijët e tyre janë duke përjetuar rëndë qëndrimin larg bankave shkollore.

“Normal, kjo është një katastrofë që është kah ndodhë, në vitet ’90 kanë qenë shkollat e hapura, tash janë mbyllur, kjo është katastrofë... Fëmija është kah e përjeton tepër, tepër keq”, ka thënë Suzana Stublla.

“Është e vështirë edhe për fëmijët, sepse kanë qenë të entuziazmuar ta fillojnë vitin shkollor, duke pasur parasysh që edhe vitin e kaluar ka filluar me vonesë për shkak të pandemisë”, ka deklaruar Hilmi Gjukaj.

Edhe pse një nga idetë e LDK-së nuk u mor parasysh nga SBASHK-u, kjo parti për të zgjidhur ngërçin në arsim tash ka kërkuar nga Qeveria që të mbajë takime në baza ditore me sindikatat deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Edhe Prindërit e nxënësit e “Faik Konicës” kërkojnë që mësimi të nisë menjëherë LAJMET E MBRËMJES Prindërit e nxënësit e “Faik Konicës” kërkojnë që mësimi të nisë menjëherë

“Kriza është aq e thellë saqë dialogu do të duhej në baza ditore, me orë të tëra. Vetëm për të prodhuar një zgjidhje që sistemi arsimor të zhbllokohet. Ne nuk po e shohim këtë gatishmëri nga kryeministri, që është tërësisht e dëmshme”, është shprehur Jehona Lushaku nga kjo parti.

Që nga 25 gushti, kur ka filluar greva e përgjithshme, Qeveria dhe sindikatat janë takuar vetëm dy herë. Në asnjërën nga këto takime palët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët.