Qëndrime të ndryshme janë dhënë të mërkurën sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Sipas SHBA-së, kushte për mbajtjen e tyre nuk ka. Nga Presidenca thonë se janë në pritje të vlerësimeve nga institucionet përkatëse të sigurisë, e shtyrja e tyre do të mund të shqyrtohej nëse pranohet një kërkesë nga KQZ-ja. Derisa Qeveria vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues i institucioneve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se në katër komunat me shumicë serbe nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar me zhvillimet e fundit, derisa ka thënë se siguria e qytetarëve duhet të jetë prioriteti më i lartë.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen. Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka thënë Hovenier.
Vlerësimi i gjendjes për nevojën e shtyrjes apo jo të datës së zgjedhjeve, sipas Presidencës, iu takon institucioneve të sigurisë.
Nga Zyra e presidentes Vjosa Osmani kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, në rast se një kërkesë të tillë marrin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve u takon institucioneve të Republikës së Kosovës në bazë të kritereve specifike. Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja. Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t`i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, ka thënë këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina.
Por, shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës nuk e ka opsion Qeveria e Kosovës.
Sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, pengimi apo pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve është sulm ndaj demokracisë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitimë të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka deklaruar Kryeziu.
Kushte për t’u mbajtur zgjedhjet në veri të vendit vlerëson se nuk ka edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë, Halit Barani.
Sipas tij, me vetë mungesën e kandidatëve serbë, zgjedhjet nuk do të ishin demokratike.
“Në këtë pjesë nuk ka pasur siguri asnjëherë, posaçërisht tash nuk ka fare, sepse edhe ata që kanë qenë, që kanë mujt me mbajtë një siguri, përkatësisht që kanë konkurruar, ata nuk konkurrojnë e nuk dalin me votu për shkak se ata janë të dirigjuar nga Beogradi”, ka thënë Barani.
Aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe të mërkurën i ka vazhduar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ-ja ka tërhequr shortin e numrave për partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet që do të mbahen më 18 dhjetor, vetëm një ditë pasi në veri të vendit u hodhën bomba e u dëgjuan shumë të shtëna, në kohën kur zyrtarët e KQZ-së tentuan t’i funksionalizojnë komisionet komunale zgjedhore në këtë pjesë.