LAJMET E MBRËMJES

Serbisë i kërkohet hetim për grupin terrorist, Daçiqi refuzon të dalë në foto ku është edhe Gërvalla

Donika Gervalla

Sulmi i 24 shtatorit nga grupi paraushtarak serb në Banjskë të Zveçanit, ka qenë temë e diskutimit të zhvilluar në mes ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit, që është mbajtur në Tiranë. Pas takimeve, kryediplomatja e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se duhet të shuhen njëherë e mirë shkëndijat e zjarreve të vjetra dhe akuzoi Serbinë për provokime, përmes rritjes së prezencave të trupave ushtarake në kufirin me Kosovën.

Gjermania dhe Shqipëria i kanë kërkuar Serbisë hetim serioz për grupin paraushtarak serb që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë.

Sulmi i 24 shtatorit ka qenë temë e diskutimit të zhvilluar në mes ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit, që është mbajtur në Tiranë.

Pas takimeve, ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se duhet të shuhen një herë e mirë shkëndijat e zjarreve të vjetra.

“Provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencave të trupave në kufirin me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën që edhe ashtu ishte e tensionuar dhe për këtë biseduam gjatë këtij takimi. Dhe kjo ndodhi pasi një sulmi tinëzar kundër policisë kosovare prej një bande terroriste të armatosur gjerë në dhëmbë”, ka thënë Baerbock.

Edhe kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani, tha se pret hetim nga Serbia për sulmin në Banjskë.

“Presim që Serbia të nisë një hetim serioz për grupin kriminal terrorist potencialisht të përfshirë në një konflikt të armatosur në veri të Kosovës. Në lidhjet e tyre me trafikantë të armëve, me individë apo subjekte të tjera në Serbi apo gjetkë. Por sidomos në situatën e tanishme, dialogu Kosovë Serbi është rruga e vetme drejt paqes”, ka thënë ministri i Jashtëm i Shqipërisë. 

Për sulmin kanë folur edhe përfaqësues të BE-së, të cilët kërkuan rikthimin në dialog dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

“Të gjithë ata autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe drejtësia jo vetëm që duhet të flas por autoritetet serbe duhet që plotësisht të bashkëpunojnë me ne në lidhje me këtë çështje dhe kjo besoj është gjuha e qartë, nuk mund të ketë një keqkuptim në lidhje me këtë çështje”, ka thënë komisioneri evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Takimi i ministrave të jashtëm, është zhvilluar 10 ditë para samitit në kuadër të Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë.

Shkaku i Kosovës dhe flamurit të saj, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciq, refuzoi të bashkohej për fotografinë e përbashkët me ministrat e tjerë të rajonit.