LAJMET E MBRËMJES

Serbia, Franca dhe Spanja shihen si shtetet më penguese për integrim të Kosovës në BE

Një anketë e Institutit të Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizjes FOL ka treguar se shumica e qytetarëve presin integrimin e Kosovës në BE brenda vitit 2030. Por, kanë identifikuar tri shtete kryesore që janë pengesë në këtë rrugë.

Franca, Spanja dhe Serbia shihen si shtetet më penguese për Kosovën në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Gjermania si përkrahësja kryesore në këtë rrugëtim, ka treguar rezultati i një ankete që është realizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL”.

Rreth 39 për qind e të anketuarve kanë shprehur besimin se Kosova mund të bëhet shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2030, ndërkaq rreth 31 për qind besojnë se kjo do të ndodhë pesë vite më herët.

Por, sipas perceptimit të jo pak prej tyre, anëtarësimi varet nga përparimi i dialogun me Serbinë.

“Rreth 38% janë të besimit se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është determinues për rrugën integruese të Kosovës, ndërkaq vetëm rreth 4% besojnë se nuk ka fare ndikim. Kjo tregon që qytetarët janë të vetëdijshëm për procesin dhe e dijnë që pa një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë ka me qenë e vështirë për Kosovën me u integru përpara”, tha Jon Krasniqi, nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Rezultatet e anketës u publikuan ditën kur presidenti francez, Emanuel Macron, kërcënoi me pezullim të vendimit për liberalizim të vizave, nëse nuk ka përparim në dialog.

E në anketë, lirinë e lëvizjes në zonën Schengen e kanë perceptuar si punë të kryer, dhe 8,6 për qind nga ta kanë konsideruar se kjo u ofron mundësi punësimi.

“Shumica e qytetarëve kanë shprehur njëfarë çlirimi për mundësinë që të udhëtojnë në shtetet Shengen, pasi që shumica dërrmuese prej tyre nuk kanë udhëtuar asnjëherë në zonën Shengen, kjo mendoj që do të ketë direkt efekt në kualitetin e jetës dhe perspektivën e individëve veçanërisht të rinjve”, tha hulumtuesi Butrint Berisha.

Pas publikimit të rezultateve, drejtori ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha, shprehu brengën se euroskepticizmi mund të rritet te kosovarët, pasi BE-ja vendosi masat.

“Kjo ka rrezik nëse qytetarët mendojnë kështu sepse përkthehet në një lloj antievropianizmi, pra që është gabim. Këtu përgjegjësinë e mban Bashkimi Evropian, atë pjesë të vetën edhe Qeveria e Kosovës”, tha Shasha.

Por, ambasadorë, si ajo e Holandës, u zotuan për mbështetje të Kosovës në rrugën drejt BE-së.

“Ngjarja që ndodhi dje në Tiranë si Procesi i Berlinit e bënë të qartë se Kosova është në rrugë drejt BE-së. Ne jemi këtu që të iu mbështesim dhe të bëjmë këtë rrugë më të lehtë”, tha ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit në procesin e integrimeve evropiane. Tek në fund të vitit të shkuar, ajo e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE.