Shërbyesit civilë, mjekët e nivelit parësor, mësimdhënësit dhe zyrtarë të tjerë që kanë kontrata me komunat kanë vërejtur mëngjesin e së premtes se nuk i kanë pagat në llogaritë e tyre.
Komunat në nivel vendi, duke e përfshirë edhe atë të Gjilanit, ku Vetëvendosja është në pushtet, e ku grevë ka vetëm arsimi, nuk i kanë dorëzuar listat e grevistëve, për të cilat tash e më shumë se një javë Qeveria i ka kërkuar me ngulm.
Paga s’kanë marrë mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Leonora Shala, mjeke në QKMF-në e Prishtinës, ka thënë se është padrejtësi që pa qenë në grevë i është ndalur paga.
“Arsyeja e protestës është mosrealizimi i pagave, ne edhe kështu s’kemi qenë në protestë, kemi punuar dhe në fund neve të mos na realizohen pagat… Kjo është shumë e padrejtë për stafin mjekësor edhe për infermierët edhe krejt stafin mbështetës”, ka thënë Shala në protestën 15-minutëshe.
Më i ashpër në konferencën për media që e kishte thirrur Shoqata Sindikale e QKMF-së ishte Sherif Makolli. Sipas tij, Qeveria ka reflektuar papërgjegjësi, duke ua ka shkelur dinjitetin stafit shëndetësor.
“Ju e dini se në çfarë gjendje kemi punuar në pandemi, se çfarë kontributi kemi dhënë, kurse sot luajnë me… Këto paga sado të vogla që janë, luajnë me dinjitetin e punëtorit”, është shprehur Makolli.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka deklaruar se ky është presion i jashtëzakonshëm dhe i padrejtë i Qeverisë mbi komunat për t’i marrë listat e grevistëve. Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunat e kërkojnë ekzekutimin e pagave deri më 5 shtator, përndryshe kanë paralajmëruar ndërmarrjen e hapave ligjorë kundër ekzekutivit.
“Ka presion të jashtëzakonshëm nga niveli qendror ndaj nivelit lokal sa u përket listave të grevistëve. Komunat janë në grevë, listat e pagave për muajin gusht janë dorëzuar deri më 10 gusht, listat për muajin shtator do të dorëzohen më 10 shtator, nëse ka kush t’i dorëzojë sepse administrata është në grevë dhe për këtë arsye kontratat janë të nënshkruara se institucioni përgjegjës për dhënien e pagës është komuna dhe është e obliguar që deri më 5 të çdo muaji t’ia paguajë pagën punëtorit dhe nëse kjo nuk ndodh, ka mundësi që të ndërmerren hapa të tjerë ligjorë”, ka thënë Ibrahimi.
Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me arsyet e mosekzekutimit të pagave në komuna. Nga krerët qeveritarë, ministrja Arbërie Nagavci në rrjete sociale ka përsëritur qëndrimet se ministria e Arsimit ka bërë dialog me Sindikatën e Arsimit dhe se i ka përmbushur kërkesat e saj.