LAJMET E MBRËMJES

Qeveria ndan mbi 17 milionë euro për rrymën në veri

Ditën kur u liruan rrugët në veri, Qeveria e Kosovës ka ndarë 17.5 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të energjisë për banorët e kësaj pjese të banuar kryesisht me serbë. 20 milionë euro të tjera i janë ndarë KEK-ut. Sipas Qeverisë, vendimet kanë për qëllim që të krijojnë stabilitet energjetik deri në muajin mars të vitit 2023.

Edhe 17.5 milionë euro janë ndarë nga buxheti i shtetit për mbulimin e shpenzimeve të energjisë në katër komunat veriore. Qeveria ka njoftuar se këto mjete janë ndarë për KOSTT-in, për pagesën e borxheve ndaj rrjetit evropian të opertorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike.

Edhe pse nuk është saktësuar se për çfarë borxhesh bëhet fjalë, ditë më parë vetë ministrja e Ekonomisë njoftoi se ka kërkuesë nga KOSTT-i për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“KOSTT javën e kaluar ka kërkuar fonde shtesë. Jemi në një kohë kur zgjidhja për çështjen e mospagesës dhe mosfaturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës duhet të ketë një zgjidhje”, pati deklaruar Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë.

KOSTT-i kishte njoftuar se humbjet e shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar për pjesën veriore janë afër 11 milionë euro. Vitin a kaluar kostoja për veriun kishte arritur në vlerë afro 40 milionë euro.

Ndarja e këtyre mjeteve është kritikuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Qeveria po ua paguan rrymën atyre që vendosën barikadat.

“Vite me radhë shanin për të njëjtën gjë. Për dijeni, këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar. Zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, të arrestuarin për terrorizëm e liruan. Tani, para se të nisin festën e Vitit të Ri, ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat. Kjo është qeverisje se jo mahi!”, ka thënë Hoti.

Në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten, Qeveria ka ndarë edhe 20 milionë euro për KEK-un pas obligimit që i kishte caktuar për të importuar sasinë e energjisë së munguar, në kohën kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i ndërmarrjeve të tjera është i pamjaftueshëm.

“Ky vendim shërben në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 02/117 përmes të cilit, në bazë të interesit publik, KEK-ut, si ndërmarrje publike e energjisë, i është vendosur obligimi për shërbim publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023, deri në 185 GWh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

KEDS-i dhe KESCO kanë njoftuar se gjatë ditëve festive nuk do të ketë reduktime dhe se janë mobilizuar 400 punëtorë, të cilët do të angazhohen në tërë territorin në rast të ndonjë të papriture ose dëmi eventual në rrjetin e shpërndarjes.