LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët teknikë të sektorit privat protestojnë, kërkojnë rritje pagash

Punonjësit prej kohësh po kërkojnë rritje pagash dhe barazim me punëtorët e sektorit publik. Punëtorëve të sektorit publik gjatë vitit 2025 u është rritur paga për 110 euro – 55 euro në janar dhe 55 euro të tjera në korrik

Punëtorët teknikë të sektorit privat kanë protestuar të martën, duke kërkuar rritje të pagave.

Protesta është mbajtur në mbi 20 komuna të vendit pranë qendrave të mjekësisë familjare, si dhe në Prishtinë, në kampusin e QKUK-së.

Në këtë protestë ata kanë kërkuar që pagat e tyre të barazohen me ato të punëtorëve  teknikë të sektorit publik, të cilëve këtë vit u janë rritur pagat për 110 euro.

Hakif Sylejmani, i cili tash e tre muaj nuk ka marrë rrogë, ka thënë se ata po kërkojnë trajtim të barabartë me kolegët e sektorit publik.

“Nuk mund të flas për pagë, ne qe tre muaj, kemi qenë para 1 muaji në grevë. Janë 3 muaj ditë të plotë që ne ende, sigurimi i QKUK-së, nuk kemi marrë pagë. Tash e tutje nga nesër fillon paga me u ekzekutu, nuk dimë për pagë sa do ta marrim”, ka thënë Sylejmani, punëtor i sigurimit në QKUK.

Protesta është organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës. 
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se pas periudhës së zgjedhjeve komunale, nëse nuk realizohet kërkesa e tyre për rritje të pagave, do të vazhdojnë me greva e protesta të tjera.

“Lusim ata të ulen në bisedime, përndryshe nuk kam dëshirë që në nivel të Kosovës, ashtu siç po më vijnë informacionet nga e gjithë Kosova, këta punëtorë sot janë në një protestë të qetë për t’iu përkujtuar se ne më tutje më nuk mund të shkojmë më. Ata për të cilët janë të gatshëm për dialog, jemi këtu, ata që nuk janë të gatshëm, ne jemi të gatshëm që të fillojmë me protesta dhe me greva ashtu siç dimë dhe mundemi”, ka thënë Azemi.

Punëtorëve të sektorit publik gjatë vitit 2025 u është rritur paga për 110 euro – 55 euro në janar dhe 55 euro të tjera në korrik.