Për dialogun Kosovë-Serbi, Kuvendi ka diskutuar në seancën e së enjtes, por që ka zgjatur deri në orët e para të së premtes. Kryeministri Albin Kurti tha se veprimet e qeverive të kaluara në kuadër të këtij procesi, pala serbe po i përdor si armë kryesore në favor të saj. Për orë të tëra ai u përball me akuza të opozitarëve. E në këtë seancë, krahas përplasjeve, nuk munguan as batutat.
Debati parlamentar për planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që nisi të enjten në mesditë, përfundoi pas mesnatës, pas më se katër orë përplasjeje, akuza e batuta midis deputetëve opozitarë dhe atyre të pushtetit.
Më shumë sesa për Planin, deputetët u morën me deklarimet e kryeministrit, Albin Kurti, nga koha sa ishte në opozitë. E akuzuan se që atëherë ka ndryshuar qëndrim.
E këtë, kryeministri e quajti si strategji të tijën për t’u përballur me trashëgiminë e qeverive të shkuara, që tani po përdoret si argument nga pala serbe.
“T’ju them të drejtën, në këtë dialogun ku jam, në bisedimet që po i zhvilloj, nuk kam vështirësi jashtë trashëgimive të ish-qeverive. Nuk kam vështirësi. Vështirësitë më të mëdha i kam kur trashëgimia e ish-qeverive është argument i kundërshtarëve të mi”, tha Kurti.
Por deputetë të opozitës argumentuan se kryeministri aktualisht e ka betejën më të madhe me veten.
“Narrativat në orët e vona shumë bëhen të rrezikshme, sepse shndërrohen në përrallë dhe ne sapo e pamë një përrallë mbi atë se kryeministri Kurti nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndryshuar, pra, njeriu që ka kërkuar jo negociata por Vetëvendosje”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“E ftoj Prokurorinë të hetojë një vrasje politike që në këtë rast Albin Kurti si kryeministër ia ka bërë Albin Kurtit si opozitar”, u shpreh Mërgim Lushtaku i PDK-së.
“Nuk kam ndryshuar unë, por sytë tuaj! Ju po këqyrni ndryshe tash. Edhe këtu ne e kemi një kontribut të pamohueshëm”, u përgjigj Kurti.
Krahas kësaj, kryeministri u akuzua se e pranoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sa ishte në opozitë e pati kundërshtuar në forma të ndryshme.
“Zajednica, Zajednica, Zajednica... tap kryeministër, e lëshoi bajrakun”, tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Por Kurti insistoi se me gjithë akuzat ndaj tij, Asociacioni nuk kalon në Qeveri.
“Zajednica ka kaluar këtu në Kuvend, Zajednica nuk kalon, nuk ka kaluar në gjykatë, nuk ka kaluar në popull. Zajednica nuk kalon as në kryeministri e në Qeveri por këtu ka kaluar”, deklaroi Kurti.
Këtë mekanizëm, që rrjedh nga marrëveshja e 2013-s, e kishin votuar më 2015 edhe disa deputetë që kanë mandat edhe në legjislaturën aktuale, e të cilët drejtuan akuza ndaj Kurtit. Në mesin e tyre, ai e përmendi deputeten, Sala Berisha Shala, bashkëshorte e deputetit Ferat Shala, porse u demantua për të nxitur konfrontimin në një rrafsh tjetër.
“Nëse s’kërkon falje, na e len mundësinë me u marrë me gra”, tha Shala.
E te debati u zgjat pas mesnatës, deputetët nisën të humbnin përqendrimin. Diskursi i deputetit, Jahja Kokaj, u cilësua i zorshëm për t’u kuptuar në atë kohë.
“Prof në mundsh në terme më të lehta se pak vonë e deputetët po më ankohen”, deklaroi kryeparlamentari Glauk KOnjufca.
Diskutimi devijoi edhe në disa performanca që shkaktuan të qeshura në Kuvend.
“A po të kujtohet Albin kur vishe edhe i qoshe krahët si shqiponjë edhe thoshe ‘Po mbani seanca natën, po tutni prej popullit, prej kujt po ikni’. Çfarë po bën sot Albin, dreqi të të hajë, nuk e le asnjë qershi pa e hëngër. Asnjë qershi nuk donë me e lënë. Pse bre Albin? Ah, bre Albin, Albin, mos qofsha në lëkurën tënden”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Të gjitha diskutimet dhe rekomandimet e dhëna nga opozita për dialogun, Kurti u zotua se do t’i marrë parasysh.