Perëndimi po e humb durimin me Serbinë dhe shtetet që po refuzojnë t’i vënë sanksione Rusisë për nisjen e luftës në Ukrainë. Në rast se Beogradi së shpejti nuk anon kah Perëndimi dhe nëse synon të vonojë vendimin, do të pasojë një periudhë shumë e vështirë për Serbinë dhe zyrtarët qeveritarë të këtij shteti, kanë thënë qarqet diplomatike për gazetën “Danas”.
Sipas shkrimit, pos pasojave ekonomike, Perëndimi mund t’i vërë sanksione liderëve të shteteve rezistuese, si presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, apo kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Rusia po ashtu s’pritet të qëndrojë duarkryq dhe pritet të ndërmarrë masat e veta ndaj shteteve mike që nuk rreshtohen në krah të interesave ruse.
Sipas burimeve diplomatike, “Danas” ka shkruar se Vuçiqi duhet të zgjedhë mes pasojave të këqija për shtetin dhe veten dhe “besnikët e tij” që e kërcënojnë në të dy krahët.
Ndërprerja e investimeve dhe humbja e vendeve të punës, pezullimi i fondeve të Bashkimit Evropian e ndërprerja e bisedimeve për pranim në BE, si dhe pezullim nga sistemi i Schengenit si pasojë janë sanksionet me të cilat Serbia mund të përballet nga Perëndimi. Moska mund ta shantazhojë me energji dhe pranimit të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.
Për qeveritarët që refuzojnë t’i dalin krah Perëndimit, mund të ketë sanksione të ashpra e hetime financiare në nivelin më të lartë, e madje edhe arrestime, kanë thënë burimet e “Danasit”.
Edhe
Perëndimi humb durimin, paralajmërohen masa të ashpra ndaj Serbisë
Rusia vazhdon ta ruajë ndikimin e saj në Serbi dhe se pritet ta ketë më të lehtë ndërmarrjen e masave, përmes agjencive të veta.
Qarqet diplomatike kanë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i prijnë “disiplinimit” të rajonit dhe se durimit po i vjen fundi. Qeveria e Serbisë s’do të ketë pafundësisht mundësinë që të gjejë arsyetime për të shmangur vendimet. SHBA-ja është në pritje të formimit të Qeverisë pa socialistët në Serbi për të nisur fushatën. Kjo besohet që është edhe arsyeja pse Vuçiqi po shtyn shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve.
Në raportim thuhet se udhëtimi në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, është qartësim i mesazhit për të ndarë rrugën – me Perëndimin ose kundër Perëndimit.