Arbëri

“Reuters”: Nëpërmjet Kosovës, Perëndimi po fiton ndaj Rusisë në Serbi

Një përafrim qëndrimesh mbi propozimin evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë këtë javë shënon fitore të qetë për Perëndimin, teksa po lufton me Rusinë për ndikimin në Beograd, shkruan agjencia “Reuters” të mërkurën.

Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës vitin e shkuar, sentimenti pro-Moskë është zgjeruar në rrugët e Serbisë. Fanella me shkronjën “Z”, simbol i kampanjës ruse, dhe suvenirë të shumtë në përkrahje të Rusisë po shiten haptas.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke u përpjekur të luajë rol balancues në mes të lidhjeve të thella me Rusinë në njërën anë dhe ambicieve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO në anën tjetër, ka bërë pak lëvizje nga frika e humbjes së mbështetjes.

Përtej zërave prorusë, Perëndimi ka bërë lëvizje duke forcuar lidhjet tregtare me Serbinë, duke ulur varësinë e Serbisë nga energjia ruse dhe duke ulur tensionet me Kosovën, shkruan kjo agjenci. Përfundimi i tensioneve me Kosovën, kusht për pranimin e të dyja shteteve në BE, do të hiqte shumë nga ndikimi i Moskës mbi Beogradin.

“Veprimet dhe synimet e Rusisë në raport me Serbinë janë që ta mbajë jashtë NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Maxim Samorukov, bashkëpunëtor i think-tankut “Carnegie Endowment for International Peace”.

Duke dashur të rreshtohet me BE-në, Beogradi ka dënuar në Kombet e Bashkuara dhe në forume të ndryshme ndërkombëtare pushtimin rus të Ukrainës, ka njohur kufijtë e Ukrainës të paraluftës, ka dërguar ndihmë humanitare e infrastrukturore në Kiev, dhe ka mirëpritur refugjatë nga konflikti, si ukrainas ashtu edhe rusë.

Mirëpo dështimi i Beogradit që t’u bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës është përcjellë me kritika. Muajin e kaluar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se derisa Serbia ka bërë përparim në procesin e anëtarësimit në BE, Brukseli ka kërkuar më tepër.

“Duket...se niveli i përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, dhe si rrjedhojë edhe vendosja e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, janë kusht mbi të gjitha kushtet”, ka thënë Bërnabiq.

Afro 80 për qind e serbëve kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, thuhet në një sondazh të vitit 2022 të bërë nga “Demostati” me seli në Beograd, kryesisht për shkak të sanksioneve dhe izolimit në vitet ‘90 që i ishte bërë Beogradit për rolin në luftërat mbi njësitë e tjera federale pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Një sondazh tjetër i bërë nga “CRTA” ka treguar se 61 për qind e të anketuarve vlerësojnë se Beogradi duhet të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën, edhe nëse kjo do të kishte koston e prishjes së marrëdhënieve me BE-në.

Një tjetër sondazh i porositur nga Qeveria ka treguar se 43 për qind e serbëve do të votonin për anëtarësim në BE dhe 32 për qind kundër.

Marrë parasysh një ndarje të tillë publike, strategjia e Vuçiqit është të evitojë fyerjet ndaj Moskës dhe të riafirmojë marrëdhënien e mirë “duke bërë hapa gradual për të shkëputur Serbinë nga Rusia në aspekte të ndryshme nga bashkëpunimi ekonomik e deri te ai i sigurisë”, ka thënë Samorukov.

Distancimi ekonomik

Nuk është vetëm çështje e politikës.

Serbia gjatë është varur gati tërësisht nga gazi i lirë rus, ndërsa prodhuesi kryesor i saj i naftës NIS (NIIS.BEL) është në pronë të “Gazpromit” rus dhe “Gazpromneftit”.

Mirëpo, edhe këtu po bëhet një ndryshim në heshtje.

Serbia ndaloi importin e naftës së papërpunuar ruse vitin e kaluar në përputhje me sanksionet e BE-së, duke kaluar kryesisht në furnizimet irakiane dhe po punon me Bullgarinë në ndërtimin e një tubacioni të gazit që do të transportonte gazin natyror dhe të lëngshëm nga Greqia dhe Turqia.

Beogradit ende i duhet gazi rus, por ka shumë pak gjasa që Moska t’ia ndalë furnizimin, siç ka thënë Sasha Gjogoviq, një analist në Institutin e Hulumtimit të Tregut.

“Moska nuk do të rrezikojë një hap kaq drastik, pasi më pas mund të humbë popullaritetin në Serbi”, ka thënë Gjogoviq.

Ndërsa Rusia mbetet partnerja e katërt më e madhe tregtare e Serbisë – prapa Gjermanisë, Hungarisë e Kinës, duke përbërë 4.1 për qind të totalit të eksporteve të Serbisë dhe 7.5 për qind të totalit të importeve në vitin 2022, në përgjithësi BE-ja është investuesja dhe përfituesja më e madhe e saj.

Serbia kryesisht eksporton produkte bujqësore dhe të konsumimit në Rusi, si dhe lëndë druri dhe goma, por “nuk do të vuante shumë” nëse u bashkohet sanksioneve kundër Moskës, ka thënë Gjogoviq, pasi do të gjente lehtësisht alternativa për mallrat ruse.

Lufta në Ukrainë dhe bashkëpunimi i Serbisë me NATO-n, po prishin edhe lidhjet tradicionale ushtarake të Beogradit me Moskën.

Sanksionet e SHBA-së dhe BE-së nënkuptojnë se Serbia më nuk mund t’i dërgojë aeroplanët ushtarakë apo helikopterët, që janë të teknologjisë ish-sovjetike, për t’i riparuar në Rusi, e as të blejë armë të reja nga Rusia.

Pas blerjes së helikopterëve të prodhuar nga “Airbus” (AIR.PA) dhe raketave tokë-ajër nga “Mistrali” i Francës, Beogradi po kërkon gjithashtu të blejë aeroplanë luftarakë francezë “Rafale” dhe pritet të blejë edhe municione bredhëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe – një lloj droni që fluturon në një objektiv dhe shpërthen.

Ushtria e Serbisë tash është e modeluar sipas standardeve të NATO-s dhe është pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të Aleancës Perëndimore.

Lidhjet e vjetra që lidhin

Vuçiqi vazhdimisht ka thënë se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Serbisë dhe se lidhjet me Perëndimin do të sjellin përfitime, si më tepër vende pune, investime dhe standard më të lartë të jetesës.

Pavarësisht ndryshimit të Beogradit nga Perëndimi, ndjenja proruse mbetet e rëndësishme si në politikë ashtu edhe në rrugë.

Kur studenti rus Ilya Zernov tentoi të vizatonte mbi grafitin “Vdekje Ukrainës” në një mur në Beograd, ai u rrethua nga një grup i burrave të cilët i njihte si serbë prorusë ultranacionalistë.

“Një burrë nxori një thikë dhe filloi të më kërcënonte...Ai më grushtoi në veshin e djathtë”, ka deklaruar Zernov për Reutersin, që iku për në Serbi nga Kazani në vitin e kaluar, pasi publikisht kundërshtoi pushtimin rus të Ukrainës.

Dhjetëra parti serbe dhe grupe ultranacionaliste haptas përkrahin Rusinë dhe që nga viti 2014 dhjetëra serbë kanë luftuar në lindje të Ukrainës përkrah forcave separatiste të mbështetura nga Moska, ndonëse Beogradi e ka shpallur të paligjshme një gjë të tillë.

Çedomir Stojkoviq, një gazetar me seli në Beograd dhe aktivist, grupi i të cilit “Tetori” publikoi lista të serbëve të shquar që janë mbështetës të hapur të Rusisë, ka thënë se Serbia është “nën okupim hibrid” të Rusisë.

Stojkoviq ka bërë një kallëzim penal kundër ambasadorit rus dhe kreut të Shërbimit të Sigurimit shtetëror të Serbisë për shkak të ndikimit të grupit mercenar “Wagner” në shtetin ballkanik.

Ky ndikim shtrihet përmes mediave, ku agjencitë e lajmeve si “Russia Today” dhe “Sputnik” lejohen të operojnë në Serbi, ndonëse janë të ndaluara nëpër vende të tjera në Evropë, dhe së paku tri gazeta haptazi përkrahin kauzën e Kremlinit.