LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja ngre kallëzim penal për Bordin e ZRRE-së

Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj pesë anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Kallëzimi mbështetet në mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vendosur për pezullim të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Karshi kësaj situate, PDK-ja e ka kritikuar edhe heshtjen e partisë në pushtet.

Pesë anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Partia Demokratike e Kosovës u ka ngritur kallëzim penal.

Me këtë kallëzim, PDK-ja i është drejtuar Prokurorisë Speciale, dy javë pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullim të shtrenjtimit të energjisë, vendim të cilin ZRRE-ja nuk po e respekton.

Në kallëzimin ndaj bordit numërohen 4 vepra penale: mospërfillje e Gjykatës, mosekzekutim i vendimeve gjyqësore, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe bashkëkryerje.

Në këtë situatë, PDK-ja e ka implikuar edhe Qeverinë.

“Kjo ngritje e çmimit ka prekur 350 mijë familje, prandaj kemi dalë në mbrojte të tyre, sepse Qeveria nuk i mbrojti dhe në vend se t'i mbrojë, doli kundër dhe ishte në sinkron të plotë me ZRRE-në, pasi mazhoranca, as në Qeveri, as në parlament, nuk e kanë ngritur zërin”, ka thënë sekretari i PDK-së, Bajrush Xhemaili.

Zyra e Rregullatorit për Energji po vlerëson se vendimi i shkallës së parë, ndonëse është masë e përkohshme, nuk mund të ekzekutohet, meqë më çështjen do të merret shkalla e dytë, apo Gjykata e Apelit.

E avokati që po e përfaqëson PDK-në në këtë rast, Faton Fetahu, e ka quajtur të papranueshëm këtë interpretim.

“Baza ligjore në të cilën thirret ZRRE-ja është e paqëndrueshme. Ata nuk e bëjnë dot të qartë dallimin mes aktgjykimit dhe aktvendimit. Në rrethanat e rastit konkret është një masë e përkohshme për shtyrjen e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, i cili ka hyrë në fuqi ditën e pranimit në ZRRE”, ka deklaruar Faton Fetahu, avokat i PDK-së.

Vendimin për masën e përkohshme, Gjykata Themelore e ka marrë më 8 prill, dhe për ankimim të tij nga palët e interesuara, ka kohë vetëm deri të shtunën.