LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja kërkon hetim urgjent mbi shtrenjtimin e rrymës

Me anë të shifrave të prezantuara gjatë një konference për media të martën, përfaqësuesit e PDK-së kanë potencuar se në kohën e shtrenjtimit të energjisë në shkurt dhe të nisjes së faturimit të energjisë me tarifa të reja, Korporata Energjetike e Kosovës kishte mbuluar me anë të prodhimit 97.5 për qind të kërkesës për konsum dhe kishte bërë edhe eksportim. Bazuar në këto të dhëna, ata kanë theksuar se kërkesa për konsum edhe gjatë muajve mars dhe prill ishte mbuluar për mbi 99 për qind

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të martën që të ndërmerret një hetim urgjent lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe për ndarjen e 90 milionë eurove nga Qeveria për subvencionimin e rrymës.

Nëpërmjet një konference për media subjekti opozitar ka prezantuar disa shifra të prodhimit, eksportit dhe importit të energjisë elektrike në Kosovë. Me anë të tyre përfaqësuesit e PDK-së kanë potencuar se në kohën e shtrenjtimit të energjisë në muajin shkurt dhe të nisjes së faturimit të energjisë me tarifa të reja, Korporata Energjetike e Kosovës kishte mbuluar me anë të prodhimit 97.5 për qind të kërkesës për konsum dhe kishte bërë edhe eksportim. Bazuar në këto të dhëna, ata kanë theksuar se kërkesa për konsum edhe gjatë muajve mars dhe prill ishte mbuluar për mbi 99 për qind.

Gjatë këtij viti, sipas të dhënave të prezantuara nga PDK-ja, vetëm gjatë janarit, muajit kur nuk ka pasur ende shtrenjtim të energjisë dhe kur kishte rënë nga funksioni blloku B1, ka pasur kërkesë për import, e cila ka shkuar deri në 21.31 për qind.

Për krejt këto arsye, përfaqësues të PDK-së e kanë vlerësuar si tejet të nevojshëm themelimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike nga Qeveria, nismë kjo të cilën subjekti e ka ndërmarrë mbi një muaj më parë.

Shifrat e prezantuara, zyrtarë të PDK-së kanë thënë se i kanë marrë nga disa sinjalizues dhe jo në mënyrë zyrtare.

Për të konfirmuar nëse shifrat e prezantuara përkojnë me ato që i posedojnë KEK-u dhe KESCO-ja, KOHA u është drejtuar me pyetje këtyre institucioneve porse përgjigje nuk ka marrë gjatë të martës.

Abelard Tahiri, deputet nga radhët e PDK-së, ka thënë se të dhënat e siguruara janë të sakta dhe se e arsyetojnë kërkesën e vazhdueshme të subjektit të tij për themelimin e komisionit hetimor.

Ai ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të sqarojnë se ku kanë shkuar 90 milionë eurot e ndarë për subvencionim.

“Prodhimi në Republikën e Kosovës po mbulohet pothuajse 99.5 për qind. Në anën tjetër janë dyfishuar tarifat mbi 800 kilovatë, janë ndarë 100 milionë euro për subvencionim. Ku po shkojnë këto mjete? Kjo është ajo që na intereson. Kjo i intereson komisionit hetimor”, ka thënë Tahiri.

Në seancën e së enjtes të Kuvendit, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar do të jetë mes pikave të para të rendit të ditës. Opozita aktualisht nuk e ka mbështetjen e mjaftueshme për themelimin e këtij komisioni, pa përkrahjen edhe të deputetëve të pushtetit.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se nisma nuk do të mbështetet në formën siç është proceduar në Kuvend, me anë të 40 nënshkrime të deputetëve nga të gjitha grupet parlamentare opozitare. Ky veprim nga subjekti në pushtet është kategorizuar si në kundërshtim me Ligjin për Hetim Parlamentar.

Për t’i dhënë mbështetje Komisionit, përfaqësuesit e Vetëvendosjes i kanë propozuar PDK-së që ta iniciojë përsëri themelimin e komisionit hetimor me 6 deputetë. Por edhe atëherë kur ishte proceduar si i këtillë në seancë, deputetë të pushtetit nuk ia kishin dhënë mbështetjen.

Tahiri ka thënë se subjekti i tij nuk do të zmbrapset nga mënyra e deritanishme e procedimit të kërkesës, duke u bazuar në Kushtetutë. Ai ka theksuar se do të konsumohen të gjitha mënyrat ligjore për ta jetësuar themelimin e komisionit, ndërsa ka shtuar se pret reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje, pas prezantimit të të dhënave.

“Ne i bëjmë thirrje LVV-së dhe kryeministrit Kurti që të mos e bllokojnë të enjten themelimin e komisionit hetimor, sepse këto të dhëna e statistika kërkojnë shpjegim. Asnjëherë të vetme, tash e dy dekada, nuk është bllokuar themelimi i një komisioni hetimor”, ka thënë ai.

Deri në themelimin e tij partitë opozitare kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në asnjë votim në seanca e komisione.

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka theksuar se bojkoti opozitar do t’i shkaktojë telashe pushtetit në përmbushjen e agjendës legjislative dhe në miratimin e ligjeve, të cilat janë të nevojshme për punën e Ekzekutivit.

“I takon në fakt shumicës parlamentare që të lëshojë rrugë. Pra, të krijojë një mundësi për konsensus, sepse është shumica parlamentare ajo që do të dëmtohet me mospjesëmarrjen dhe bojkotin parlamentar të opozitës. Sepse, dihet që në të gjitha çështjet që kërkojnë dy të tretat e votave shumica parlamentare nuk i ka e vetme dhe ato çështje janë të shumta në numër”, ka thënë ajo.

Vetëm gjatë seancës së fundit parlamentare, si pasojë e bojkotit nga ana e opozitës kanë dështuar që të votohen katër marrëveshje ndërkombëtare.